Tajvani është në “gatishmëri të lartë”.
Kjo pasi një aeroplanmbajtëse kineze u zbulua në jug të ishullit ndërsa ushtria e Pekinit publikoi një video të stërvitjes ushtarake në llogarinë e saj WeChat duke thënë se ishte “gati për betejë”.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit raportoi se kishte zbuluar 11 avionë kinezë dhe tetë anije luftarake, plus një anije tjetër.
“Aeroplanmbajtësja kineze Liaoning ka hyrë në ujërat pranë Kanalit Bashi dhe me siguri po shkon drejt Paqësorit perëndimor”, shpjegoi në një shënim ministria, duke sqaruar gjithashtu se ushtria është “në gatishmëri maksimale, e gatshme të përgjigjet nëse është e nevojshme”.
Kanali i Bashit është një ngushticë strategjike që lidh zonat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore me Paqësorin dhe ndan Tajvanin nga Filipinet.
Pikërisht për shkak të mosmarrëveshjes së vazhdueshme për Detin e Kinës Jugore, deklarata e përbashkët në samitin e ASEAN-it në Laos që përfundoi dje nuk u miratua: drafti i arritur nga Asociacioni i Vendeve të Azisë Juglindore u refuzua nga Rusia dhe Kina.
Pekini, i cili e konsideron Tajvanin territorin e vet, e urren presidentin e tij Lai Ching-te, duke e quajtur atë “separatist”.
Javën e kaluar në fjalimin e tij kryesor për Ditën Kombëtare, Lai tha se Republika Popullore e Kinës nuk kishte të drejtë të përfaqësonte Tajvanin, por se ishulli ishte i gatshëm të punonte me Pekinin për të luftuar sfidat si ndryshimi i klimës.
Fjalë që bien në sy për tonin e tyre pajtues, por që zgjuan zemërimin e Kinës.
Inkursioni i sotëm i përshtatet këtij skenari.
Burimet e sigurisë në Tajvan e kishin paralajmëruar Lain se fjalimi i tij mund të nxiste më shumë lojëra luftarake kineze.
Akti i fundit ndodhi në maj, në atë që Pekini e kishte përcaktuar si një “dënim” për fjalimin e inaugurimit të Lait./Albanianpost.com