Basha në Beograd: Kosova e pavarur, realitet i pakthyeshëm

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në nënkomitetin për Ballkanin Perëndimor të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës që u zhvillua në Beograd.

Në fjalën e tij, Basha ndër të tjera foli për Kosovën.

“Kosova është e pavarur. Ky është një realitet i pakthyeshëm. Pse të mos e përfundojmë këtë dhe të përqendrojmë gjithë energjinë tonë në atë që ka rëndësi për qytetarët tanë? Dhe ky angazhim duhet të tregohet me vepra”, tha Basha.

Ai më tej u shpreh se anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare sjell siguri, jo vetëm për qytetarët Kosovës, por edhe për minoritetet që jetojnë aty.

Basha gjithashtu foli për sulmin terrorist të Banjskës, ku tha se përgjegjësit ende nuk janë vënë para drejtësisë. Kreu i demokratëve euroatlantikë më tej u shpreh se është përgjegjësi e Beogradit që të arrestojë fajtorët që janë ende të lirë në Beograd, dhe të ndëshkohen.

“Një vit më parë, një sulm ndodhi në territorin e Kosovës. Nga forca të mirë trajnuara dhe të pajisura mirë, që për fat të mirë dështoi. Por ata që janë përgjegjës ende nuk janë vënë para drejtësisë. Është përgjegjësia e të gjithëve, përfshirë Beogradin, që ta bëjnë këtë. Fajtorët kryesorë janë ende të lirë këtu në Beograd. Dhe mund të ndodhë që të ndeshemi me ta në korridoret e hoteleve këtu në Beograd. Nuk duhet dhe nuk mund të tolerohet mosndëshkimi për akte të tilla. Kështu merr formë angazhimi për paqen dhe stabilitetin”, theksoi më tej Basha.

Ky i fundit shtoi se, “mendoj se shumica e qytetarëve e shohin që retorika nacionaliste, minimi i sovranitetit të njëri-tjetrit, është thjesht një mashtrim për të fshehur dështimet, për të ofruar prosperitet ekonomik, mundësi, barazi përpara ligjit, zgjedhje demokratike, institucione të pavarura”./Albanianpost.com

Read Previous

Arrestohen dy persona, ekspozuan armën e gjuetisë në rrjete sociale

Read Next

Leclerc: Pas fitoreve në Montekarlo dhe Monza tani dua titullin kampion në Formula 1 me Ferrari