Shpenzimet e familjeve shqiptare shkojnë 40% për ushqime sipas Instat

Për t’u ushqyer, mesatarisht, një familje shqiptare harxhon rreth 40% të buxhetit të saj të plotë.

Kështu kanë reflektuar shifrat e reja të një publikimi nga Instituti i Statistikave, i cili ka nxjerrë në pah se nuk ka shumë ndryshime sa i takon anketës së buxhetit të familjeve për vitin 2023, krahasuar me vitin 2022.

Gjatë vitit 2023, shpenzimet mesatare mujore për konsum në një familje, e përbërë mesatarisht nga 3.7 persona, vlerësohet të shpenzojë diçka më shumë se 91 mijë lekë në muaj, ose 3.7% më shumë se në vitin 2022.

Në total, shpenzimet gjithsej për konsum janë 68.4 miliardë lekë në muaj në Shqipëri.

Ndërsa në total një familje mesatare shpenzon 91 mijë lekë në muaj, prej tyre, 36 mijë e 349 lekë shkojnë për ushqime, ose përkthyer në 39.6% e totalisht.

Nëngrupet me peshën më të madhe në këtë llogari janë mishi dhe nënproduktet e tij, me 18.5%, buka dhe drithërat me 16.5% dhe perimet me 16%.

Nëse krahasimi do të bëhet me vendet e Bashkimit Evropian, Shqipëria ka një volum tejet të lartë të shpenzimeve për ushqime, pasi mesatarja evropiane shkon në 14.3% e buxhetit, e cila përdoret për produkte ushqimore.

Edhe për vendet “më të varfra” të Unionit, fjala bie Rumania, Lituania, Bullgaria, shpenzimet për ushqime kapin 20-24% të totalit të shpenzimeve. Pra, thuajse gjysmën e asaj çfarë shpenzohet në Shqipëri.

Në Shqipëri, një rritje shpenzimesh është parë edhe shpenzimet për grupe të tjera mallrash dhe shërbimesh, ku kryesisht përfshihen shpenzimet për higjienë personale, apo edhe shërbimet estetike.

Shpenzimet për pije alkoolike dhe duhan panë po ashtu rritje me 5.6% vitin e shkuar, ku barrën më të madhe e patën shpenzimet për pije alkoolike, me 8% më shumë se viti 2022.

Qarqet me shpenzimet më të larta mujore (përtej kryeqytetit) për konsum janë Korça me 91 mijë lekë në muaj dhe Durrësi me 89 mijë e 561 lekë në muaj.

Nga ana tjetër, Kukësi dhe Dibra janë qarqet me më pak shpenzime konsumi, ku i pari raporton 73 mijë e 225 lekë në muaj dhe i dyti, 74 mijë e 479 lekë në muaj.

Tirana ndërkohë ka primatin e shpenzimeve mujore, me 108 mijë e 98 lekë në muaj. Kjo shifër e lartë është edhe ajo e cila e rrit ndjeshëm në rang vendi kuotën e shpenzimeve mesatare mujore për konsum në vend./Albanianpost.com

Read Previous

DW: Studimi paralajmëron miliona vdekje deri në vitin 2050

Read Next

Mourinho afër rikthimit në Ligën Premier?