Prandelli: E ka tjetërsuar për mirë Juventusin, ajo që po bën Thiago Motta nuk më befason

Cesare Prandelli përshëndet punën e Thiago Motta si trajner i Juventusit. I intervistuar nga “La Stampa”, ish-trajneri i kombëtares italiane pranon se nuk është i befasuar nga ndikimi i italobrazilianit në stolin bardhezi:

“Po bën atë që e prisja. Është një trajner që ka ide, karizëm, personalitet, e di si duhet të jetë grupi. Në marrëdhënie di t’u japë përparësi atyre që kanë përvojë, por nuk i jep siguri askujt. Kjo më pas shpërblehet, sepse i gjithë ekipi tenton limitet për përmirësim. Me të në krye, jam i sigurt se Juventusi do të jetë gjithnjë e më shumë i sigurt”.

A prisja ta shihja Motta-n të hynte në rolin e trajnerit të një ekipi të madh kaq shpejt? Po, sepse ai si trajner më kujton në çdo mënyrë çfarë ishte si lojtar. Gjithmonë i menduar, asnjëherë i furishëm.

Gjithmonë e kishte lojën nën kontroll, mund të ishte shumë i shpejtë dhe dinte të merrte kohën e tij në varësi të situatës. E diktonte lojën si kampion. Ai nuk po më befason, thjesht po konfirmon veten, ashtu siç e njoh”. /Telesport.al/

Read Previous

Sulmet ajrore izraelite ndërprenë vendkalimin kufitar Liban-Siri

Read Next

Telekomit i janë bllokuar llogaritë sërish nga përmbaruesi