Kryetari i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, në një dalje publike analizoi situatën në të cilën ndodhet SPAK që nga krijimi e deri më tani.
Nga Forumi Rajonal mbi Mirëqeverisjen dhe Luftën Kundër Korrupsionit, Dumani u shpreh fillimisht se SPAK është i përkushtuar për të vijuar punën e pandërprerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Këto 5 vite që prej nisjes së funksionimit të SPAK kanë dëshmuar se SPAK ka kapacitetet dhe aftësitë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj subjekteve të ndryshme, pavarësisht profilit të tyre politik apo publik, si dhe kundër profileve të larta të krimit të organizuar”, tha Dumani në fjalën e tij.
Sipas tij, pavarësia institucionale është kushti themelor për suksesin e SPAK dhe se “ajo duhet të mbrohet e forcohet në mënyrë të vazhdueshme”.
Ai theksoi se po të shikosh larminë e subjekteve për të cilët SPAK ka arritur të ngrejë akuza, t’i vërë në hetim, apo ka përfunduar me një vendimmarrje, e tregon qartë këtë.
“Ne shikojmë zyrtarë të niveleve të larta në rang ish-zv/kryeministri, ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të të gjitha niveleve, punonjës policie të nivelit të lartë krerë bashkish, ish-kryetarë bashkish”.
Për të, këto duhen parë si tregues, shenjë se SPAK po maturohet dhe po rritet dhe është në gjendje jo vetëm nga pikëpamja e përdorimit të mjeteve e teknologji me qëllim sigurimin e provave e ngritjen e akuzave penale, por për të pasur në fund një vendim fajësie që tregon edhe një proces penal të suksesshëm.
Në fjalën e tij Dumani u shpreh se jashtë fokusit të SPAK nuk ka mbetur as goditja e pasurisë së vënë nga krimi, falë edhe legjislacionit të mirë në dispozicion.
“Kemi arritur të sekuestrojmë e konfiskojmë si produkte të veprës penale apo pasuri me origjinë kriminale, vlera që shkojnë deri në 150 milionë euro dhe diversiteti i pasurive apo aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është shumë i larmishëm”.
Por, shtoi Dumani, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë institucionale vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë civile në veçanti.
“Shoqëria civile është një partner i rëndësishëm përballë presioneve të mundshme nga pushtetet e tjera”.
Dumani deklaroi se Shqipëria ka legjislacion të mirë sa i takon ndjekjes penale, por gjithashtu SPAK ka garancitë kushtetuese dhe ligjore që të ushtrojë në mënyrë të pavarur, të pandikuar, funksionet e saj.
“Kam parasysh pavarësi të jashtme nga pushtetet e tjera dhe pavarësi të prokurorëve për të ushtruar detyrën e tyre për ndjekjen penale”.
Dumani ravijëzoi se prioritet është edhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
“Përmasat që ka marrë krimi dhe korrupsioni, duke qenë se një pjesë e parave tranferohen jashtë vendit, e bën jetike domosdoshmërinë për bashkëpunim me agjencitë homologe të vendeve të rajonit, BE-së dhe përtej. Kemi krijuar aktualisht 35 skuadra të përbashkëta hetimore”. /Albanianpost.com