Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Peter Hummelgaard, sot viziton burgun e Gjilanit, në Kosovë, ku do të strehohen të burgosurit, të cilët janë dënuar me dëbim nga Danimarka. Kështu bëri të ditur Ministria daneze e Drejtësisë.
Në këtë udhëtim, ministri Hummelgaard do të takohet me ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe do të vizitojë burgun e Gjilanit.
“Ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për të siguruar më shumë vende burgje dhe për të lehtësuar sistemin tonë të burgjeve të rënduar. Njëkohësisht po u dërgojmë një sinjal të qartë të huajve kriminelë se e ardhmja e tyre nuk është në Danimarkë”, shkruan ministri.
Ndryshe në fund të vitit 2021, ministri i atëhershëm i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Hækkerup, ka nënshkruar një deklaratë politike me qeverinë kosovare për krijimin e një burgu. Qëllimi ishte lirimi i vendeve të stërngarkuara në burgjet daneze.
“Po dërgojmë një sinjal të qartë për kriminelë të huaj”, thotë ministri Hummelgaard. Burgu do të strehojë deri në 300 të burgosur, shtetas të huaj, të cilët janë të dënuar me dëbim. /RTKlive