Situata me zjarret në Shqipëri, në vetëm 24 orë janë shuar 22 vatra

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në 24 orët e fundit janë raportuar 27 vatra zjarri.

Pas një pune të forcave operacionale në terren u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 22 vatrave, ndërsa 5 vatra janë aktive.

Po vijon puna për shuarjen e zjarreve në: fshatin Shëngjin, bashkia Mirditë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me pishë dhe shkurre.

Terreni shumë i vështirë dhe era e fortë favorizojnë flakët që po kalojnë në drejtim të fshatit Lajthizë, njësia administrative Orosh.

Situata po ndiqet me përparësi nga forcat vendore të bashkisë Mirditë, në ndihmë të cilave kanë shkuar edhe një grup shërbimi nga MZSH Lezhë dhe 30 efektivë të FA me dy mjete zjarrfikëse.

Në monitorim është situata në vatrën midis fshatit Mal i Bardhë dhe Skuraj, njësia administrative Milot, bashkia Kurbin.

Nuk ka rrezik për përhapje dhe për banesa.

Pa rrezik për banesat paraqitet edhe situata ne vatrën e zjarrit Në fshatin Surroj, njësia administrative Surroj, bashkia Kukës.

Vatra ishte e izoluar, por u riaktivizua si pasojë e erës. Në terren po punojnë forca të njësisë administrative dhe Shërbimi Pyjor.

Forcat operacionale janë duke punuar edhe në një tjetër vatër, ku ka pasur riaktivizim të zjarrit si pasojë e erës, në fshatin Barrë, njësia administrative Arrën, bashkia Kukës.

Nuk paraqet rrezik për banesa.

Në fshatin Frakth, njësia administrative Komsi, bashkia Mat, zjarri zhvillohet në një terren të thepisur shkëmbor, ku po digjen mbetje drusore në sipërfaqe pylli me ah. Situata është nën kontroll. Nuk ka rrezik për përhapje.  /Albanianpost.com

Read Previous

SHBA-ja ndan 62 milionë dollarë për të avancuar teknologjitë e hidrogjenit të pastër

Read Next

Hapësira të përbashkëta evropiane të të dhënave dhe AI e fuqishme për qeverisje publike transparente