Trump përballet me aktakuzë të re, ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tani do të përballet me akuza të rishikuara apo të ndryshuara për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020. Dokumenti i ri i akuzës argumenton se Trump, kur ka ndërmarrë skemën e supozuar për të ndikuar në zgjedhje, ka vepruar si qytetar i thjeshtë dhe jo si president.

Ish-presidenti amerikan dhe tani kandidati republikan për president në zgjedhjet e nëntorit, Donald Trump përballet me akuza të rishikuara apo të ndryshuara për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020. Akuzat e reja të rishikuara kanë ardhur si përgjigje ndaj vendimit të Gjykatës Supreme muajin e kaluar, ku thuhet se presidentët, derisa janë në detyrë, gëzojnë imunitet të gjerë nga ndjekja penale për akte zyrtare.

Aktakuzat e rishikuara janë pothuajse të njëjtat akuza kundër ish presidentit-Trump, akuza këto që i ka mohuar, por tani akuzat lidhen me statusin e tij si një kandidat politik dhe jo me një ish-president.

Aktakuza e rishikuar, e ngritur nga Jack Smith, këshilltar Special nga Departamenti i Drejtësisë, lë në fuqi të katër veprat kriminale për të cilat ngarkohet Trump; komplot për të mashtruar shtetin, komplot për të penguar procedimin zyrtar, përpjekje për të penguar procedimin zyrtar dhe komplot kundër të drejtave.

Dokumenti i ri i akuzës argumenton se Trump, kur ka ndërmarrë skemën e supozuar për të ndikuar në zgjedhje, ka vepruar si qytetar i thjeshtë dhe jo si president.

Më herët, ish-presidenti Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Nëse Donald Trump fiton ndaj kandidates demokrate, Kamala Harris, në zgjedhjet e nëntorit, gjerësisht pritet që do ta urdhërojë Departamentin e Drejtësisë t’i hedh poshtë të gjitha akuzat me të cilat po përballet. /RTK/

Read Previous

Apple po shkurton rreth 100 vende pune në sektorin e shërbimeve dixhitale

Read Next

Elezi: Një koalicion i regjistruar deri tani, dy parti njoftuan për mospjesëmarrje në zgjedhje