Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha të martën se nuk beson që një luftë mes Hezbollahut e Izraelit është e pashmangshme, edhe pse ishte i shqetësuar për potencialin e eskalimit pas një sulmi vdekjeprurës me raketë në Rrafshnaltën e Golanit, e pushtuar nga Izraeli.
Tensionet janë përkeqësuar të shtunën, kur një raketë vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë në një fushë futbolli në fshatin Druze. Izraeli e ka akuzuar Hezbollahun dhe është zotuar për kundërpërgjigje të ashpër. Hezbollahu e ka mohuar përfshirjen, raporton agjencia “Reuters”.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë duke udhëhequr një përpjekje diplomatike për ta parandaluar Izraelin nga një sulm në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, ose ndaj infrastrukturës së rëndësishme civile si kundërpërgjigje ndaj sulmit, i thanë të hënën agjencisë “Reuters” pesë persona me njohuri për këtë çështje.
“Përderisa kemi parë shumë aktivitet në kufirin verior të Izraelit, ne mbetemi të shqetësuar për potencialin që kjo të eskalojë në një luftë të plotë dhe unë nuk besoj se një luftë është e pashmangshme” – tha sekretari Austin.
“Ne do të donim që t’i shohim gjërat të zgjidhura në mënyrë diplomatike” – shtoi ai gjatë një konference të përbashkët për gazetarë në Manila të Filipineve, pas bisedimeve të sigurisë mes tij e sekretarit të Shtetit të ShBA-së, Antony Blinken, në njërën anë, dhe homologëve të tyre filipinas, në anën tjetër.
Ushtria izraelite tha se goditi rreth dhjetë caqe të Hezbollahut në jug të Libanit gjatë natës dhe vrau një luftëtar të grupit. Hezbollahu konfirmoi se njëri prej luftëtarëve të tij është vrarë.
Dy zyrtarë izraelitë thanë të hënën se Izraeli synon që ta dëmtojë Hezbollahun, por jo ta tërheqë Lindjen e Mesme në luftë të plotë.
Disa fluturime në aeroportin ndërkombëtar të Bejrutit janë anuluar ose janë shtyrë këtë javë për shkak të tensioneve të ngritura. /Nacionale