Ukrainë/ Thuhet se 500 mijë trupa ruse po rrethojnë vendin
Ministri i Mbrojtjes në Ukrainë, Rustem Umerov, është shprehur në Forumin e Sigurisë në Aspen se plot 500 mijë trupa ruse janë duke rrethuar Ukrainën. Ai shtoi se Rusia po mendon të dislokojë 200-300 mijë trupa të tjerë në muajt në vijim.
Ai bëri edhe bilancin e ushtarëve të vdekur ose të plagosur rusë, duke thënë se numri ka shkuar në 550 mijë, qysh prej fillimit të luftës, në shkurt të vitit 2022. Më herët, ministria e Mbrojtjes në Rusi tha se mbrojtja ajrore e vendit shkatërroi 5 dronë ukrainas, të cilët donin të sulmonin rajone në kufi të dy vendeve.
Biden, besimplotë për fitoren; U bën thirrje demokratëve për bashkim
Presidenti aktual i SHBA, Joe Biden, u bëri thirrje aleatëve të partisë së tij që të bashkohen për të mposhtur ish-presidentin Donald Trump, në atë që e cilësoi si një “vizion të errët” politik, referuar planeve dhe përfaqësimit të ish-presidentit. Biden duket se po qëndron i fortë karshi kërkesave për të rishikuar kandidimin për president
Ai është vënë shpesh përballë trysnisë së demokratëve, të cilët i kërkojnë që të zëvendësohet me një tjetër kandidat. Rreth 36 senatorë dhe ligjvënës u janë bashkuar thirrjeve të shumta për tërheqjen e Biden nga gara.
Arrestohen 3 persona, pasi furnizuan Hezbollah me pjesë për ndërtimin e dronëve
Tre persona janë vënë në pranga në Spanjë e në Gjermani, pasi dyshohen se janë pjesë e një rrjeti që punon për të furnizuar me pjesë dronesh kamikazë grupimin libanez Hezbollah. Dronet kamikazë janë përdorur më parë nga Hezbollah për të sulmuar veriun e Izraelit.
Pasi u vunë re “operacione të dyshimta” në Spanjë, Grada Civile nisi të kryente hetimet paraprake. Ata arrestuan 2 persona, të cilët ishin pjesë e kompanive që kishin materiale dhe elemente që përdoren për prodhimin e dronëve. Besohet se grupimi Hezbollah mund të ketë ndërtuar shumë dronë me këta përbërës. Më tej, hetimi u shtri edhe në Gjermani, ku u arrestua 1 person.
Një burrë kërcënon se do të vrasë shefin e FBI
Një burrë nga Georgia u arrestua pasi kërcënoi se do të vriste shefin e FBI. I arrestuari, John Donovan Woodbury, 34 vjeç, do të përballet me akuza për kërcënimin për të sulmuar, marrë peng dhe vrarë drejtuesin e FBI, Christopher Wray.
Sipas autoriteteve, 34-vjeçari e ka kërcënuar shefin i FBI në një forum në internet, gjatë muajit të kaluar. Ai publikoi edhe adresën e shtëpisë së Wray dhe shkroi në të njëjtin forum se do ta “bënte familjen e tij të tmerrohej dhe të mos hidhte as hapin”. 34-vjeçari nuk ishte ndalur vetëm te shefi i FBI, pasi kishte kërcënuar të tjerë njerëz me varje e djegie.