Proteston stafi teknik i Kuvendit të Kosovës

Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar të martën para ndërtesës së parlamentit, duke kërkuar që paga t’u rritet deri në 500 euro, nga 275 sa e kanë aktualisht.

Nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, punëtorët teknikë kanë paralajmëruar edhe veprime të tjera sindikale.

Jusuf Azemi, Kryetar i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, gjatë kësaj proteste, ka theksuar se problemi është te kompania kontraktuese, pasi që nga 18 mijë euro, vetëm 6 mijë ndahen për punëtorët teknikë.

“Më shumë merr buxhet pronari i kompanisë”, tha Azemi para gazetarëve.

“Kemi dalë të protestojmë për paga të ulëta për punëtorët teknikë që kryejnë shërbime për Kuvendin e Kosovës. Që të jemi parimor ne kemi bë bisedë me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e Administratës të cilët me përpikëri na kanë shpjeguar për procedurën e çështjes së pagave të punëtorëve”, shtoi.

Pamje nga protesta e punetoreve teknike te Kuvendit

Kuvendi i Kosovës, shpjegoi ai, “kompanisë ia përcjell 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë dhe ne e kemi komunikuar shumë mirë me sekretarin”.

“Problemi është tek kompania e cila kryen shërbime”, insistoi Azemi.

Kërkesa e vetme e protestuesve, siç ka thënë përfaqësuesja e punonjësve, Nazife Krasniqi, është që të marrin atë se çka iu takon me ligj.

“Ne kemi kërkuar me na u rrit pagat, kemi bisedu me sekretarin, drejtorin… aty është thënë se ka mundësi me u rrit pagat por neve operatori ekonomik nuk na është përgjigj. Nuk mund të punojmë me 275 euro kur kemi me udhëtu e kemi ushqim por nuk po na mjafton”, tha Krasniqi. /Albanianpost.com

Read Previous

Komisioni hetimor për tekstet shkollore nuk pajtohet për listën e dëshmitarëve

Read Next

Ministrja Haxhiu letër Speciales: Heqja e kollares së Krasniqit, akt absurd