Kamera kap telefonin e Adem Hoxhës, shihet komunikimi mes tij e Albin Kurtit

Deputetit të Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, i është fotografuar ekrani i telefonit nga Klan Kosova gjatë seancës së sotme parlamentare për zgjedhjen e presidentit, ku shihet se në ora 17:11 kishte komunikuar me kryeministrin, Albin Kurti.

“5 minuta” – ishte fjala e fundit e shkëmbyer me anë të telefonit në mes të këtyre dy personaliteteve.

Adem Hoxha nga Partia e Bashkuar Gorane ia ka bërë kuorumin Vjosa Osmanit në seancën e sotme ku po votohet për të parin e shtetit. Ndërkohë, pas një “pazari” me kryeministrin Kurti, Hoxha u bind që të marrë pjesë në seancën dhe të votojë për zgjedhjen e Presidentit.

“Po do të marrë pjesë në seancën ku do të zgjidhet presidenti. Unë nuk jam për të shkaktuar bllokadë institucionale. Po si parti do ta kemi edhe një pozitë të zv.ministrit”, ka thënë Hoxha shkurt për Reporteri.net.

Por partia e tij së bashku me Listë Serbe e kishte dërguar Qeverinë Kurti 2 në Gjykatë Kushtetuese pak ditë më parë, lidhur me numrin e ministrive.

Lista Serbe ankesën e kishte bërë në emër të dhjetë deputetëve serbë të listës së saj dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane.

Sipas tyre, në bazë të nurmave të deputetëve u takojnë dy ministri.

“Sot, Lista Serbe paraqiti një ankesë në Gjykatën Kushtetuese në emër të dhjetë deputetëve të Listës Serbe dhe deputetëve të Partisë së Bashkuar Gorane me qëllim që të mbrojë interesat e popullit Serb. Ankesa e kundërshton vendimin e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë në Prishtinë, 22 Mars 2021, ku vetëm një ministri iu dha popullit Serb për ta menaxhuar, megjithëse sipas Kushtetutës, ishte e obliguar për t’i dhënë dy”, thuhej në reagim.

Read Previous

Leart Paqarada largohet nga Përfaqësuesja e Kosovës

Read Next

​PDK shkarkon nga të gjitha funksionet Adelina Granicën: E shiti votën për Vjosën