Banorët e rrugës “Lekë Dukagjini”, probleme me ndriçimin publik nga tetori 2025
Gjatë vizitës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në Francë është trajtuar Ballkani Perëndimor dhe dialogu. Për raportet Kosovë-Serbi flitet në një komunikatë të përbashkët që është titulluar “Udhërrëfyesi Franko-Amerikan”.
Në njoftimin e publikuar për media, theksohet se Franca dhe Shtetet e Bashkuara mirëpresin bashkëpunimin e vazhdueshëm të ngushtë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian me qëllim të rritjes së prosperitetit dhe forcimit të qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit.
“Ata mirëpresin mundësinë për të forcuar angazhimin e përbashkët në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s, dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe duke mbështetur reformat kyçe për integrimin në BE”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Si dëshmitarë të Marrëveshjeve të Dejton-Parisit, Franca dhe Shtetet e Bashkuara riafirmojnë mbështetjen e tyre për Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë dhe do të vazhdojnë të mbrojnë me vendosmëri sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin multietnik të Bosnjë-Hercegovinës. Ata u bëjnë thirrje udhëheqësve në Bosnje dhe Hercegovinë që të refuzojnë rrugën e ndarjes dhe shkëputjes dhe në vend të kësaj të punojnë së bashku për të bërë reformat e nevojshme për t’u bashkuar me BE. Ata i bëjnë thirrje qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut që të qëndrojë e fokusuar në rrugën drejt BE-së dhe t’u përmbahet angazhimeve të tyre ndërkombëtare”, thuhet tutje në njoftim./EpokaeRe