Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka quajtur hero të Kosovës ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, Tony Blair. Osmani tha se roli i Blairit ka qenë vendimtar për çlirimin e Kosovës 25 vjet më parë.
Ajo nënvizoi se Britania e Madhe me në krye Blairin, bashkë me forcat aleate të NATO-s, e ka shpëtuar popullin e Kosovës nga shfarosja e cila synohej nga regjimi gjenocidal i Milosheviqit.
Osmani në deklarimin për medie pas takimit me ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe, tha se Kosova sot është një nga trashëgimitë më të suksesshme dhe mësimet se mbrojtja e paqes, lirisë, dhe demokracisë janë shtyllat e civilizimi.
“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive, citoj ‘kjo është thjeshtë gjëja e duhur për tu bërë’ , fjalë të thëna nga zotëri Blair 25 vjet më parë kur e ftonte botën demokratike t’i bashkëngjiteshin atij, për t’i ndaluar krimet e llahtarshme të regjimit të Millosheviçit në Kosovë. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë në anën e vlerave që kanë përcaktuar kapitujt me të lavdishëm të historisë njerëzore…Në vitin 99-ta, roli juaj si kryeministër britanik gjatë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ishte vendimtar, ndaj sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës dhe hero i lirisë dhe i demokracisë, edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe të gjithë përkrahjen që ia keni dhënë Kosovës gjatë këtyre 25 viteve. Në prill të vitit 1999 e keni cilësuar intervenimin në Kosovë si një kauzë të drejtë e tillë ishte siç u dëshmua atëherë dhe siç dëshmohet edhe sot. Në pyetje ishte vet ekzistenca e një populli. Me forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja që synohej nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit”, tha Osmani.
Në anën tjetër, ish kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair tha se intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë gjëja e duhur që është bërë.
Ai tha se tani vendet demokratike duhet t’i rrinë në krah njerëzve të Kosovës në mënyrë qe e ardhmja e Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran zë vendin në mekanizmat ndërkombëtar.
“Atëherë isha i bindur se (intervenim i NATO-s)ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj të jem i bindur. Gjithashtu, tani jam i bindur se duhet t’u rrimë krah njerëzve të Kosovës në mënyrë që e ardhmja e Kosovës të jetë në linjë me meritat e njerëzve të saj. Këtu po ndodhin shumë gjëra pozitive që janë mësim për tërë botën jo vetëm për popullin e Kosovës. Pres me padurim që ta pres ditën kur Kosova si komb i pavarur dhe sovran zë vendin e duhur në familjen e kombeve…Dua edhe njëherë të shpreh falënderimin dhe solidaritetin me njerëzit e Kosovës që e kanë ndierë atë kohë, e ndjejnë tani dhe do ta ndjejnë edhe në të ardhmen”, është shprehur Blair.
Blair po qëndron në Kosovë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës. Ai pati edhe një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, si dhe takoi kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti. /KosovaPress/