Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se do të ketë bllokim të përkohshëm të disa rrugëve me rastin e aktiviteteve dhe vizitave që do të zhvillohen për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit.
Vizita këto që do të nisin nga 10 qershori deri më 13 qershor.
“Policia e Kosovës do të kujdeset për sigurinë dhe lëvizjen e eskortave të personaliteteve sipas itinerarit nëpër rrugë të ndryshme, duke përfshirë vendkalimet kufitare, Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe rrugët të cilat të shpien në drejtim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Nga policia është sqaruar se kjo do të bëhet për nderim ndaj vendit tonë në këtë ngjarje ku do të marrin pjesë personalitete të rëndësishme vendore, rajonale e ndërkombëtare.
“Nga qytetarët e vendit dhe pjesëmarrësit në trafik kërkojmë mirëkuptim pasi në intervale të caktuara do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të automjeteve dhe riorientim të trafikut në rrugë alternative”.
Kosova, më 12 qershor shënon 25-vjetorin e Ditës së Lirisë apo Çlirimit të Kosovës, kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas fushatës ajrore të Aleancës së Veri-Atlantikut kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998-1999, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.
Ndërsa mbi 1 mijë e 600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur. /Albanianpost.com