Stano: Lajçaku vazhdon të angazhohet në dialog, aktualisht s’është planifikuar asnjë takim

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, njoftoi se Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojë të angazhohet në procesin e dialogut midis dy palëve gjatë muajve në vijim, ndërsa shtoi se aktualisht, asnjë takim i ri në kuadër të dialogut nuk është planifikuar të mbahet.

Në një konferencë për shtyp, ai u bëri thirrje palëve të fillojnë implementimin e marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, posaçërisht zbatimin e obligimeve që burojnë nga marrëveshja për rrugën e normalizimit nga viti i kaluar, që u arrit së pari në Bruksel të Belgjikës, pastaj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Stano u pyet nga gazetarët për të ardhmen e dialogut, duke qenë se Lajçaku, një prej protagonistëve kryesorë që aktualisht ndërmjetëson procesin, do të nisë mandatin në kryeqytetin zviceran, Bern, më 1 shtator, në kuadër të rotacionit vjeshtor në postet diplomatike. Ai megjthatë nënvizoi se diplomati sllovak do të vazhdojë angazhimin deri në emërimin e emisarit të ri.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në procesin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatitet për raundin e ri të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për 720 ulëset e Parlamentit Evropian (PE) fundjavën e ardhshme pritet të përcaktojë edhe dinamikën e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit./Albanianpost.com

Read Previous

Ministri Murati do të ftohet në raportim për moskompletimin e Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale

Read Next

Zjarrfikësit të përgatitur për sezonën verore