Haxhiu: Opozita po kërkon hetimin e Kusari – Lilës e s’po kërkon dorëzimin e Radojiçiçit

Si përpjeke për të larguar vëmendjen nga dështimi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme e ka cilësuar ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kërkesën e opozitës për shkarkimin e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, pas publikimit të audio-incizimit ku ajo dëgjohet duke biseduar me kryeterroristin, Milan Radojiçiç-in.

Sipas saj opozita po kërkon hetimin e Kusari – Lilës, ndërsa asnjëherë dorëzimin e Radojiçiç-it.

“Një opozitë që nuk kërkon nga Serbia dorëzimin e një terroristi që ka bërë sulm terrorist në Kosovë, nuk ka kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë terroristët, tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit”, ka thënë ajo në një prononcim për media.

Ishte gushti i vitit të kaluar kur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila – disa ditë pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohej biseda e saj në telefon me kryeterroristin, Milan Radojiçiç-in për një mori çështjesh politike me ndërmjetësimin e zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç-it – kishte garantuar me jetë se kjo bisedë kishte ndodhur vetëm një herë dhe se biseda ishte zhvilluar në gjuhën shqipe.

“E konfirmoj me jetë, jo me mandat, jo me diçka që është kaluese, pra me afat, e konfirmoj me jetën time, sonte e nënshkruaj dhe them se në rast se kjo nuk është unë po dorëzohem”, thoshte ajo në një intervistë për Debat Plus në RTV Dukagjini.

Rreth 10 muaj më pas përsëri përmes një audio-incizimi e publikuar në Nacionale.com – sikurse herën e parë – konfirmohet qartë se Kusari – Lila ka gënjyer publikisht.

Të hënën e 3 qershorit, Nacionale.com, publikoi një audio-incizim të radhës ku dëgjohej qartë se Kusari – Lila ka biseduar për disa minuta – për të dytën herë me radhë, pasi biseda zhvillohet gjersa ajo është në veturë duke udhëtuar drejt shtëpisë së saj e jo në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku kishte ndodhur biseda e parë mes saj dhe Radojiçiç-it – rresht me kryeterroristin.

Biseda nuk zhvillohet në gjuhën shqipe – siç pretendonte Kusari – Lila – por në gjuhën serbe sikurse ajo e para.

Gjithashtu telefonata zhvillohet plotësisht me dijeninë e saj – ajo vetë pranon të flas me Radojiçiç-in, pas kërkesës që ia parashtron fillimisht Simiç – dhe jo rastësisht, siç pretendonte ajo që kishte ndodhur për herë të parë, meqë në versionin e saj Simiç ia kishte lëshuar në interfon Radojiçiç-in dhe ajo ishte vënë para aktit të kryer.

Pas përgënjeshtrimit, Mimoza Kusari – Lila nuk është deklaruar ende publikisht./Albanianpost.com

Read Previous

Borrell thotë se BE’ja mbështet planin e Bidenit për armëpushim në Gazë

Read Next

Pritet dorëzimi i raportit për mundësinë e heqjes së masave ndaj Kosovës