Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen për herë të shtatë për t’i vazhduar negociatat për çështjen e dinarin, pikërisht në kohën e skadimit të periudhës tranzitore për zbatimin e rregullores për operacione me para të gatshme, ndërsa ndërmjetësit evropianë presin që takimi i radhës mes kryenegociatorëve për dinarin serb të jetë rasti i fundit për zgjidhje.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një konferencë për media të hënën, njoftoi se palët do të takohen për t’i vazhduar diskutimet në gjetjen e zgjidhjes së përkohshme në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarin serb. E raundi i shtatë për dinarin planifikohet për të mërkurën.
“Do të takohen të mërkurën në Bruksel për të vazhduar diskutimet në gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme dhe të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i BQK-së. BE-ja pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur kompromis. Shpresoj që palët të sillen në frymë evropiane e të arrijnë në kompromis”, theksoi zëdhënësi i BE-së.
Stano deklaroi gjatë javës së kaluar se blloku pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – për çështjen e dinarit të jetë rasti final për zgjidhje në bazë të propozimit të bërë nga Emisari Special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, por nuk u zbardhën detaje të propozimit evropian për kompromis.
Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë këtë javë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një kompromis në dialog./Albanianpost.com