Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, uroi besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit.
Begaj ishte në Xhaminë e Ballies në qendër të qytetit të Elbasanit, i shoqëruar nga përfaqësues të Komunitetit Mysliman në Elbasan dhe kryebashkiaku Gledian Llatja.
Në një prononcim për mediet, Presidenti vlerësoi bashkëjetesën fetare në Elbasan dhe gjithë Shqipërinë duke përcjellë mesazhin e tij se kjo vlerë duhet ruajtur, promovuar dhe trashëguar.
“Jam këtu për të uruar të gjithë besimtarët mysliman, gëzuar festën e Fitër Bajramit. Pas muajit të madhërueshëm të Ramazanit besimtarët u përkushtuan e besoj se me lutjet tyre, ata janë më afër Zotit dhe lutjet e tyre të pranuara besoj që do të jenë qytetarë të denjë jo vetëm për veten e tyre, por edhe për shoqërinë”.
Ai theksoi se ndodhej në këtë xhami të mrekullueshme të qytetit të Elbasanit, e rindërtuar në të njëjtin vend ku në vitin 1608 Hasan Balliu e ndërtoi për herë të parë dhe në vitin 1967 u shkatërrua dhe falë Zotit u rindërtua përsëri në të njëjtin vend.
Begaj vlerësoi traditën e shkëlqyer në Elbasan, ku përveç objekteve të kulteve të ndërtuara, besimtarët jetojnë në harmoni, si në të gjithë Shqipërinë.
“Është një vlerë e madhe njerëzore, vlerë të cilën duhet ta ruajmë, ta promovojmë dhe ta trashëgojmë. Unë uroj çdo të mirë dhe begati për çdo shqiptar, për çdo besimtar”. /Albanianpost.com