‘Tirana kryeqytet i bisedimeve’ – Begaj vlerëson Samitin e Ukrainës në Shqipëri

Presideti i Republikës, Bajram Begaj, e ka vlerësuar lartë Samitin e Tiranës mes vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës, i cili mbahet të mërkurën e 28 shkurtit.

Gjatë një mesazhi përshëndetës përpara hapjes së Samitit, Begaj theksoi se sot Tirana është kryeqytet i bisedimeve, duke pritur këtë ngjarje madhore.

Ai i vlerëson këto takime si të rëndësishme për rikonfirmimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, për paqen, sigurinë dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

“Shqipëria mirëpret këto dy ditë liderë të  Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore  me vullnetin dhe dëshirën për të kontribuar  për paqen, bashkëpunimin, zhvillimin e qëndrueshëm në rajon dhe për të rikonfirmuar mbështetjen ndaj Ukrainës. Urime dhe suksese!”, shkruan kreu i shtetit.

Nga ana tjetër, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka bërë me dije më parë se po punohet për hapjen e Ambasadësës shqiptare në Kiev të Ukrainës, brenda këtij viti.

Këtë, ai e theksoi gjatë një deklarate për media me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili gjendet në Tiranë në kuadër të Samitit për Ukrainën, organizuar nga Shqipëria me vendet e Evropës Juglindore.

Hasani e nisi duke theksuar mbështetjen e pakushtëzuar shqiptare për sovranitetin, lirinë, pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.

Ai tha se vendi e dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe se po vijohen përpjekjet në rang ndërkombëtar, për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Sipas kryediplomatit shqiptar, një plan me 10 pika i Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes.

Teksa, Shqipëria, së bashku me aleatët, në fjalët e tij, është e angazhuar plotësisht për realizimin e pikës së pestë të këtij plani, e cila lidhet me rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës.

“Ukraina ka qenë përparësi e punës së Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare”, përmendi ministri. “Hapja e Ambasadës tonë në Kiev, shpresojmë brenda këtij viti”.

Më tej, shtjelloi se u diskutua edhe për avancimin e raporteve të mira mes dy vendeve, ndihma ekonomike që mund t’i ofrohet Ukrainës nga Shqipëria, apo dakordësia për rritjen e bashkëpunimit.

Mbështetje ka pasur edhe për rrugëtimin euroatlantik të Kievit, ku Tirana zyrtare ka shprehur gatishmëri të ofrojë përvojën në proceset integruese. /Albanianpost.com

Read Previous

Kurti: Britania është vend që nuk ua kthen shpinën miqve dhe aleatëve

Read Next

Rama i tregon Zelenskyt ekspozitën për Ukrainën në Kryeministri dhe i jep dhuratën e veçantë