Në moshën 88 vjeçare ka ndërruar jetë akademiku dhe piktori Sylejmon Haxhikadria nga Gjakova.
Profesori Sylejmon Haxhikadria ka lindur në Gjakovë më 20.01.1936, ku kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Shkollën e artit figurativ e kreu në Pejë në vitin shkollor 1959-1960. Ka studiuar Akademinë e Arteve Figurative në Zagreb, ku diplomoi në vitin 1964.
Gjatë jetës së tij, profesori Sulejmon Haxhikadria ka realizuar një varg ekspozitash personale e kolektive.
Në botën e tij artistike zbulojmë kontrastet e jetës me ngjyra të ndritura e të pasionuara, virgjërinë e natyrës, hapësirën e pakufishme, figurat e portreteve njerëzore, vuajtjet, tronditjet dhe konfliktet e jetës. Në të gjitha punimet e piktorit Haxhikadria vërehet klima autentike e Kosovës si dhe temat e përgjithshme nga jeta dhe natyra. Motivet e tij janë gjurmimi e studimi i psikologjisë njerëzore në pëlhurë. Aty vështrojmë zogjtë psikologjik, portretet si dhe arkitekturën orientale.
Disa nga punimet e tij janë: “Studim”, “Auto portret”, “Plaku dhe drita”, “E pafajshmja”, “Koka e fshatarës”, “Lulet”, “Portreti i femrës”, “Akti i shtrirë”, “Pasojat e fuqisë”, “Arkitektura e vjetër orijentale e Kosovës”, “Natyrë e vdekur”, të cilat bartin thellë në vete porosinë artisitke e humane të njeriut në përgjithësi.
Akademikut iu botuan mbi 100 punime në broshura dhe revista të ndryshme. Disa punime iu shpërblyen e disa të tjera u bënë pronë muzeale në Cetinje, në Tuzëll, në Galerinë e Shkupit, në Gjakovë e në Prishtinë. Ishte laureat i shpërblimit të Shoqatës së Artistëve Figurativ të Kosovës.
Homazhet për të ndjerin mbahen nesër nga ora 12:00 -13:00, në varrezat e qytetit ku dhe do të mbahet ceremonia mortore.