KPM dënon me gjobë katër operatorë kabllorë pas ankesave të qytetarëve

Komisioni i Pavarur për Media sot në mbledhjen e mbajtur ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë.

Me 64 mijë euro është dënuar operatori ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatori ‘Kujtesa’, me 7 mijë ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro ‘Telkos’.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se këto gjobitje kanë ardhur pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

“Ne si KPM kemi obligime, ashtu siç e thotë ligji se nëse shohim që ka shkelje të rregulloreve ne duhet të adresojmë çështjet….”, tha ai.

“Jemi duke u ballafaquar me një dukuri që ka ndodhur edhe vite më parë ku qytetarët kanë bërë ankesa për largim të disa pakove televizive pa paralajmërim nga operatorët e shpërndarjes me të cilët  qytetarët kanë pasur kontrata”, tha më tej Mehmeti.

“Nga ankesat e qytetarëve kemi të bëjmë me mos-njoftim me kohë të qytetarëve që siç e parasheh rregullorja 30 ditë përpara duhet të njoftohen se diçka do të ndryshojë nga pakoja për të cilën kanë paguar”, tha ai. /Telegrafi/

Read Previous

Hidhet shorti për çerekfinale të Copa del Rey

Read Next

Britania përballet me shpërthimin e fruthit, rreth 200 raste në 3 muaj