Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka reaguar pas operacionit të policisë në Durrës, ku u arrestuan disa persona përfshirë shtetasin Rexhep Arapi, si dhe u lëshua masë e re sigurie për ish-shefin e komisariatit nr. 6 në Tiranë, Dedan Gjoni.
Ai ka bërë me dije po ashtu se deri më tani janë arrestuar ose proceduar 339 punonjës policie.
“Këto operacione dhe këto rezultate janë vetëm fillimi i vendosmërisë tonë për të vijuar me luftën frontale kundër krimit të organizuar dhe vetë-pastrimin e radhëve të Policisë së Shtetit nga ata elementë të cilët e dëmtojnë atë”, ka theksuar Balla.
Sa i përket operacionit të fundit, ministri ka përgëzuar Policinë e Shtetit dhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme SPAK për goditjen e një tjetër grupi kriminal në Durrës.
Sipas Ballës, revanshi i sundimit të ligjit ndaj krimit të organizuar po godet fort sëmundjen e vjetër të lidhjeve të krimit me policinë dhe drejtësinë.
“Në asnjë cep të territorit të kësaj republike s’mund të ketë më feude apo bajraqe, ku mbi ligjin dhe mbi qytetarët të jenë të fortët, të cilët edhe kur policia i shoqëronte tek dera e komisariatit, ata dilnin po atë ditë nga dritarja me vendime të blera tek tezgat e drejtësisë së vjetër”, ka vijuar ai.
Ndërkohë, Balla ka vënë në dukje se hetimet në bashkëpunim me SPAK, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, SHISH dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të vendeve partnere për punonjës të nivelit të parë drejtues apo zbatues, të dyshuar për shpërdorim detyre, korrupsion, vepra penale në fushën e narkotikëve, veprime arbitrare, lidhje/komunikime me krimin si dhe çdo veprim tjetër të paligjshëm vijojnë dhe rezultatet e këtij procesi janë domethënëse.
Më herët, ai ka thënë se procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të drejtuesve të Policisë.
Ndaj dhe – sipas tij – për këtë qëllim do të vijojë vetingu i funksioneve drejtuese në Policinë e Shtetit, si një mekanizëm i domosdoshëm vlerësimi.
“Procesi i vetëpastrimit të Policisë së Shtetit lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të drejtuesve të Policisë. Për këtë qëllim do të vijojë vetingu i funksioneve drejtuese në Policinë e Shtetit si një mekanizëm i domosdoshëm vlerësimi, i cili rrit besueshmërinë e drejtuesve brenda organizatës, por edhe forcon besimin e qytetarëve. Përgëzime Trupave Vlerësuese dhe drejtuesve të AMP për punën voluminoze”, ka theksuar Balla.
Ministria e Brendshme ndërkaq ka bërë me dije se seancat do të jenë publike dhe do të kryhen nga Trupa e Vlerësimit që është ngritur pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. /Albanianpost.com