Një sondazh i publikuar të martën nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë (ECFR) për zgjerimin potencial të Bashkimit Evropian (BE) ka zbuluar se evropianët janë më të hapur ndaj idesë për anëtarësimin e Ukrainës në BE, por shumë më të ftohtë ndaj anëtarësimit të Gjeorgjisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Kosovës.
Pikëpamja mbizotëruese e qytetarëve në Austri, Gjermani, Francë dhe Danimarkë është se BE-ja nuk duhet të zgjerohet së shpejti, ndërkohë që ekziston mbështetje e gjerë në Poloni dhe Rumani, ndërsa liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për zgjerimin në një takim që pritet të mbahen më 13 dhjetor në kryeqendren evropiane.
Përkrahja më e ulët e evropianëve sa i përket zgjerimit ka qenë ndaj hyrjes së Kosovës, ku vetëm 20 për qind e kanë përkrahur anëtarësimin e kosovarëve në familjen evropiane, ndërsa 37 për qind kanë qenë kundër. Anëtarësimin e Shqipërisë e kanë përkrahur 24 për qind të qytetarëve, ndërsa 35 për qind janë shprehur kundër. Njëjtë edhe për Serbinë.
Rreth 26 për qind e kanë përkrahur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa 27 për qind kanë qenë kundër. Sa i përket Malit të Zi, rreth 30 për qind e qytetarëve evropianë kanë përkrahur anëtarësimin e këtij vendi në BE, ndërsa 25 për qind kanë qenë kundër. Evropianët kanë kundërshtuar posaçërisht anëtarësimin potencial të Turqisë.
Ndërkaq, përkrahja më e lartë për anëtarësimin e Ukrainës është në Danimarkë (50 për qind) dhe në Poloni (47 për qind). Në Rumani (32 për qind për, 29 për qind kundër), Gjermani (37 për qind për, 39 për qind kundër) dhe Francë (29 për qind për, 35 për qind kundër). Në Austri, shumica e qytetarëve (52 për qind) kanë qenë kundër anëtarësimit të Ukrainës. /Albanianpost.com