Rohde: Kalimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend do t’i sjell dobi Kosovës

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur i lumtur për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në seancën e së enjtes në Kuvendin e Kosovës.

Rohde, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’ e ka quajtur “lajm të mirë” vendimin e deputetëve të Kuvendit.

“Lajme të mira për Kosovën. Më në fund iu dha drita e gjelbër marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare, të arritura sot me konsensus ndër-partiak në parlament. Këto do t’i sjellin dobi popullit dhe tërë vendit”, u shpreh ai.

Kuvendi i Kosovës, këtë të enjte, ka filluar miratimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare të cilat bllokoheshin me muaj të tërë pas refuzimit të partive opozitare për t’i votuar të njëjtat.

E para që u miratua ishte ajo për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”.

Pro kësaj marrëveshjeje, kanë votuar 83 deputetët.

Me po kaq vota është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”.

Me 83 vota për është votuar edhe projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë dhe projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimi i sektorit të energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit.

Me 84 vota për është votuar projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëfinancimin e bursave të arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë.

Me 83 vota për është votuar projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes në mes Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe GIZ, për projektin mbështetja për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të bujqësisë në zonat rurale përmes diversifikimit të aktiviteteve. /Albanianpost.com

Read Previous

Ministria e Shëndetësisë në Gaza pezullon bashkëpunimin me OBSH-në për evakuimet në spitalin Al-Shifa

Read Next

Dogana parandalon kontrabandë te Dheu i Bardhë, sekuestron pajisje kirurgjike