Kearns: Perëndimit i mungon “boshti kurrizor” në dialogun Kosovë-Serbi

Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, tha se një pjesë të përgjegjësisë për rrjedhën e tensionuar në marrëdhëniet Kosovë-Serbi duhet ta mbajë edhe bashkësia e organizuar ndërkombëtare, sepse sipas saj, nuk është treguar syçelur ndaj agravimit të sjelljeve të Serbisë në dritën e pushtimit rus të Ukrainës.

Në një intervistë për prestigjozen “Financial Times” të mërkurën, ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia, duhet të heqin masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe të braktisin qasjen aktuale, ndërsa vlerësoi se politika e QUINT-it karakterizohet nga mungesa e “boshtit kurrizor” në rajon.

“Perëndimi po shfaq në Ballkan dështimin e të pasurit një shtyllë kurrizore dhe ne po shfaqim gjithashtu se nuk i kemi marrë mësimet në frenimin e Rusisë. Ne kishim një prioritet të plotë se si të mos shqetësonim apo rëndojmë Rusinë në dëm të atyre që e rrethojnë. Pikërisht e njëjta gjë po ndodh këtu”, tha Kearns, duke iu referuar dialogut Kosovë-Serbi.

Kearns alarmoi nga parlamenti britanik në muajin korrik se në kishat ortodokse serbe në Kosovë ka armë të kontrabanduara nga Serbia. Në fund të shtatorit, një grup terrorist serb nën udhëheqjen e ish-nënkryetarit të Listës Sërpska, Millan Radoiçiç, vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

“Keni parasysh atë që thashë në qershor. Armët kanë ardhur nga Serbia me auto-ambulanca në Kosovë dhe ruheshin nëpër kisha. Dhe çfarë kemi parë? Armë që kanë ardhur qartazi nga Serbia… Dy nga terroristët që vdiqën atë ditë nga të shtënat kanë qenë shoferë të ambulancës. Dhe ku ishin fshehur? Në një manastir”, nënvizoi deputetja britanike.

“Nuk ka asnjë shenjë që bandat e krimit të organizuar që veprojnë brenda Kosovës të jenë ndalur. Nuk ka asnjë shenjë nga pala serbe… se ka zbutur pretendimet në Kosovë. Sistemi ndërkombëtar ka qenë bashkëpunëtor në pretendimet se nuk ka pasur grupe të krimit të organizuar në Kosovë”, shtoi ndër të tjera ajo, duke bërë thirrje të ushtrohet presion ndaj Serbisë.

“Ne nuk mund ta pranojmë premisën se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Kosova nuk mund të braktisë aspiratat për integrim të plotë [në komunitetin euro-atlantik]”, përfundoi Kearns.

Perëndimi deri më tani nuk ka arritur të gjejë rrugën për t’i bindur palët që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pikërisht për shkak të një sasie të çështjeve të mbetura pezull, një cikël i ri në procesin e dialogut është zhvilluar të enjten e 16 nëntorit në kryeqendrën politike evropiane, por pa rezultate të prekshme. /Albanianpost.com

Read Previous

Këto komisione mblidhen sot për të shqyrtuar çështje të ndryshme

Read Next

OpenAI e kthen në detyrë shefin e shkarkuar Sam Altman