Osmani thirrje Kosovës dhe Serbisë: Zgjidhni sa më parë mosmarrëveshjet

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, njëherit kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, u ka bërë thirrje këtë të premte Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhin sa më parë mosmarrëveshjet që kanë, në një kohë kur bota po përballet me ndryshime gjeopolitike.

“Ne inkurajojmë autoritetet e Kosovës që të vazhdojnë përpjekjet për të mbyllur temat e mëdha në rajon për shkak se zhvillimi i gjeopolitikës në përgjithësi nuk shkon në favor të vendeve të rajonit. Prandaj ky do të ishte mesazhi im edhe si kryesues i OSBE-së, edhe si ministër i një vendi anëtar të NATO-s, një vend që negocion me Bashkimin Evropian, që t’i inkurajoj pra palët të shfrytëzojnë këto momente të rëndësishme gjeopolitike”, ka thënë Osmani.

Këto komente, Osmani i bëri vetëm një ditë pas takimeve që delegacioni i Kosovës, më në krye kryenegociatorin Besnik Bsilimi, dhe delegacioni serb, i udhëhequr nga Petar Petkoviç, patën në Bruksel me të Dërguarin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ku nuk u raportua për ndonjë progres.

Nga ana tjetër, një paralajmërim shqetësues për rajonin e Ballkanit ka ardhur nga Presidenti i Ukranisë, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se ka informacione se Rusia mund të përpiqet të nxis një konflikt në Ballkan.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Më besoni, ne po marrim informacione: Rusia ka një plan të gjatë. Lindja e Mesme. Shpërqëndrimi i dytë do të jetë Ballkani. Nëse vendet e botës nuk bëjnë asgjë tani, do të ketë një tjetër ‘shpërthim’ të tillë dhe përsëri, kjo s’do të jetë një histori e re”, ka alarmuar presidenti Zelenskyy gjatë një bashkëbisedmi me disa gazetarë në Afrikë.

Edhe Bashkimi Evropian është pajtuar plotësisht me paralajmërimet e Zelensky-t se Rusia mund të krijojë “kriza të reja” në Ballkan dhe Moldavi, në mënyrë që, siç tha ai, të largojë vëmendjen e botës nga lufta në Ukrainë.

“Për një kohë të gjatë ne kemi thënë se Rusia po bën përpjekje për të ushtruar ndikim malinj edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Pra, po, ky është shqetësimi që ne e ndajmë dhe ky nuk është shqetësim i ri, por shqetësim që ka qenë me ne për një kohë. Ne në këtë pikë pajtohemi me presidentin e Ukrainës dhe e dimë që Rusia po bën gjithçka që mundet që të mbjellë pakënaqësi, jo stabilitet politik, ndikim të huaj, manipulim informatash dhe tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. /Albanianpost.com

Read Previous

Rruga “Wesley Clark“ në gjendje aspak të mirë

Read Next

​Investimet më të mëdha për vitin 2022 ishin në ndërtim