BE: Takimi Bislimi-Petkoviç fokusohet në zbatimin e zotimeve

Një cikël i ri në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi do të zhvillohet të enjten e 16 nëntorit në kryeqendren evropiane në Belgjikë, derisa kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të priten nga Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku në fokus do jetë zbatimi i zotimeve që palët kanë marrë përsipër.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka konfirmuar për “Zërin e Amerikës” se do të organizohet një takim midis kryenegociatorit të palës kosovare, Besnik Bislimi dhe kryenegociatorit të palës serbe, Petar Petkoviç, në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

“Mund të konfirmojmë se emisari i posaçëm i BE-së do të organizojë takim në nivel të kryenegociatorëve në Bruksel të enjten e ardhshme. Takimi do të fokusohet në hapat e ardhshëm në procesin e normalizimit dhe zbatimin e zotimeve të palëve në dialog”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim të enjten, por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Ky takim vjen pas vizitës dy-ditore të emisarit të BE-së, i cili të hënën dhe të martën ka qëndruar në Prishtinë, në kuadër të përpjekjeve për të përgatitur terrenin për raundin e ri në procesin e dialogut në nivel kryenegociatorësh, ku pritet të diskutohet për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, përfshirë çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vizita e përfaqësuesit të BE-së ka ardhur rreth dy javë pas ciklit të takimeve në Bruksel, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe preisdenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, janë takuar veç e veç me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, pas “stuhisë diplomatike” të tetorit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me gjithë mospajtimet lidhur me këtë çështje, kanë insistuar se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është çështja kryesore dhe prioriteti më i madh aktualisht në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, derisa nga palët pritet zbatimi i marrëveshjeve pa vonesa dhe pa parakushte. /Albanianpost.com

Read Previous

​Forumi i Paqes, Kurti në Paris takon Macron

Read Next

Shtatë muaj pas, Ligji për Paga ende në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese