Zlatan Ibrahimovic po përgatitet të kthehet në Milano, me bekimin e Gerry Cardinale, themeluesit të “RedBird” që kontrollon klubin kuqezi, Milan.
Çështje orësh, shkruan “La Gazzetta dello Sport”, negociatat mes pronarit të Milan-it dhe kampionit suedez kanë hyrë në vijën finale dhe nuk përjashtohet mundësia që miratimi të mbërrijë mes ditës së sotme dhe nesër.
Nesër Milan-i do të niset për në Lecce, ku të shtunën do të kërkojë pikët për t’u rikthyer te fitorja në kampionat, ndërsa Cardinale do të hipë në aeroplan me destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Djemtë tanë u shfaqën për të fituar dhe i treguan Evropës dhe botës se janë të aftë të shprehen në nivelet më të larta në skenën ndërkombëtare”, tha Cardinale për suksesin kundër PSG-së.
“Jam i lumtur për ekipin dhe për tifozët tanë që luajtën një rol të rëndësishëm si njeriu i ‘dymbëdhjetë’ në fushë në këtë fitore të madhe. Shumë krenar për gjithçka që tregon më të mirën e Milan-it ”, shtoi ai.
Cardinale po negocion personalisht për stadiumin e ri dhe në verë ka ristrukturuar organizimin drejtues të klubit.
Largimi i Drejtorit Teknik la hapësirë për një grup pune me Furlani-n në krye, mbështetur nga shefi i skautëve Moncada dhe drejtori sportiv D’Ottavio.
Me ardhjen e Ibrahimovic skuadra do të kompletohet. Zlatan nuk do të ketë një pozicion menaxherial në organikën e klubit. Roli i tij, ndoshta ai i këshilltarit, mund të përfshihet në një farë mënyre në organikën e fondit amerikan që zotëron Milan-in.
Te kuqezinjtë, Ibra do të jetë në gjendje të lëvizë në fusha të shumta, nga roli në fushën ndërkombëtare (për shembull në turneun amerikan) deri te ai i bashkëbiseduesit të Pioli-t për çështjet në fushë dhe në dhomën e zhveshjes. Zlatan do të rikthehet të frekuentojë Milanellon, ai do t’i ofrojë këndvështrimin e tij trajnerit dhe lojtarëve me të cilët do të bisedojë. /Albanianpost.com