Chelsea do të jetë pa Armando Brojën për ndeshjen e tyre në shtëpi në Premier League me Arsenal-in këtë fundjavë pasi sulmuesi kuqezi mori një dëmtim gjatë stërvitjes me Shqipërinë, tha të premten trajneri i bluve Mauricio Pochettino.
Chelsea ka pësuar një sërë dëmtime lojtarësh këtë sezon dhe Broja u kthye në “Stamford Bridge” duke mos qenë i pranishëm as në duelin Shqipëri – Çeki, ku kuqezinjtë trumfuan 3-0 në Tiranë.
“Broja është jashtë, ai ka pak irritim në gju, por është gjuri tjetër, jo ai që kishte problem në të kaluarën”, u tha Pochettino gazetarëve.
Fjalët e trajnerit argjentinas konfirmojnë ato që tha edhe Sylvinho në konferencë për shtyp gjatë ndeshjeve të Shqipërisë, ku Broja u largua nga grumbullimi për shkak dëmtimi.
“Sa i përket Brojës, më duhet të jap një lajm të keq. Ai ishte vetëm dy ditë me ekipin. Pas konsultimit me mjekët tanë dhe Chelsea, ai nuk mund t’ia dalë, nuk do të jetë gati për nesër. Kemi lojtarë të tjerë për të vlerësuar”, tha Sylvinho asokohe.
Pavarësisht se fillimisht u tha se Broja nuk kishte gjëndje të rënduar, ekzaminimet më të fundit kanë treguar se futbollisti duhet të mos grumbullohet për sfidën e Premier League pasi rrezikon përshkallezim të dëmtimit.
Broja nuk do të jetë mungesa e vetme te Chelsea, pasi një numër i konsiderueshëm lojtarësh janë ende jo në gjendje për t’u aktivizuar me minutazh të plotë.
“Ne kemi disa lojtarë që duhet t’i vlerësojmë për të parë nëse ata do të jenë në dispozicion apo jo nesër. Benoit Badiashile mund të jetë i disponueshëm edhe në pankinë”, theksoi Pochettino.
Mbrojtësi Reece James ka munguar që kur pësoi një dëmtim në ditën e hapjes së sezonit dhe trajneri nuk e përjashton një rikthim për ndeshjen e së shtunës me Arsenal-in.
“Reece po stërvitej mirë ditët e fundit, tani duhet të bisedojmë me stafin mjekësor dhe të vendosim nëse ai mund të jetë pjesë e skuadrës nesër”, vijoi tekniku.
Mesfushorët Enzo Fernandez dhe Moises Caicedo u kthyen në klub vetëm të enjten pas detyrës ndërkombëtare, por Pochettino tha se ata janë stërvitur dhe janë gati për veprim.
Për Chelsea-n, pushimi ndërkombëtar erdhi në kohën e gabuar, pasi kishte fituar dy ndeshjet e ligës para pushimit, së bashku me një fitore në Kupën e Ligës.
/albanianpost/