Osmani: Nëse s’merren masa, Serbia do ndihet më e fuqishme për të vazhduar me sulme tjera

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse nuk ndermirën masa ndaj Serbisë, pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, do të ndihet “më e fuqishme, më e inkurajuar nga mosndëshkimi për të vazhduar me akte dhe sulme të tjera kundër Kosovës”.

Këto komente Osmani i bëri në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviç, teksa shtoi se qëllimi përfundimtar i Serbisë, “që është dëshmuar në fakt nga të gjitha provat që kemi mbledhur, që ka qenë aneksimi i Veriut të Kosovës”.

“Kosova kohëve të fundit po përballet me një nga situatat më të rënda në 25 vitet e fundit, shkaku i veprimeve hibride, nëpërmjet aktiviteteve terroriste dhe agresionit të sponsorizuara dhe urdhëruar nga Serbia”, tha Osmani.

“Shpresoj që partnerët ndërkombëtar do të dëshmojnë qartësi strategjike dhe veprime të vendosur për ta ndaluar përpjekjen e Serbisë për destabilizim, jo vetëm të Kosovës, por të gjithë rajonit”, shtoi.

Tutje, e para e vendit theksoi the se ka pak shtete në Evropë që e kuptojnë sfidën me të cilën po përballet Kosova “më mirë se Kroacia”.

“Kroacia edhe vetë në fillim të 90’ta u përballë me një matricë të ngjashme të agresionit të regjimit të atëhershëm të [Sllobodan] Millosheviç-it”.

Sipas Osmanit, pas aktit të agresionit të 24 shtatorit, fokusi duhet të jetë tek “vënia e të gjithë autorëve të këtij akti para drejtësisë së Kosovës”, dhe “marrja e garancive të forta të sigurisë, sidomos për ta ruajtur kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Si dhe frenimi i Serbisë, sanksionimi i Serbisë për veprimet e saj, si masë parandaluese për sulmet të tjera në të ardhmen”.

Përkundër këtij veprimi të Serbisë, pohoi Osmani, “Kosova mbetet e palëkundur në vizionin e saj në përpjekjet e saj, për të pasur raporte të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”.

Ndërkaq, teksa foli për marrëdhëniet me shtetin kroat Osmani theksoi se Kroacia është një mik, aleat dhe partner i madh i Kosovës.

“Ishit në anën tonë kur u kërcënua thelbi ynë”, thotë Osmani, duke shtuar se në rajon ka ende forca që duan t’i kthehen historisë.

“Kosova është e vendosur të vazhdojë dhe ne jemi të lumtur që kemi aleatë si Kroacia. Presidenti Milanoviç vazhdon të jetë zëri ynë dhe ne gjithashtu përpiqemi të jemi prezent në aleancën më të fortë të njohur për njerëzimin”, shtoi.

Ajo pohoi se Kosova e sheh Kroacinë si aleate kryesore, dhe këtë jo vetëm në rajon.

“Ne ndajmë një pjesë të historisë së përbashkët, fitimin e lirisë dhe pavarësisë. Qindra qytetarë shqiptarë luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kroacisë. Kroacia është pjesë e misionit të KFOR-it në Kosovë…”, tha Osmani, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë është gjithashtu i rëndësishëm dhe se është e bindur se miqësia mes dy kombeve është e rrënjosur thellë. /Albanianpost.com

Read Previous

FMN rrit në 3.8 përqind parashikimin e rritjes ekonomike për Kosovën

Read Next

Sulmi terrorist, Milanoviç: Serbia duhet të japë përgjigje për disa gjëra