Rama: BE-ja ta dënojë shpalljen e zisë kombëtare në Serbi

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të rishkruajë edhe njëherë deklaratën rreth Kosovës dhe qëndrimin karshi Serbisë.

Sipas Ramës, Bashkimi Europian duhet të dënojë vendimin e marrë nga Serbia për të shpallur tre ditë zije në nderim të personave që sulmuan Policinë e Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

“Për t’u kthyer tek pyetja lidhur me qëndrimin tonë për të herë të parë, të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd”, deklaroi Rama.

“Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani.

/klankosova/

Read Previous

“Krenar për ekipin”, Vedat Muriqi reagon pas super paraqitjet ndaj Barcelonës

Read Next

Gjermania rrit kontrollet kufitare me Poloninë dhe Republikën Çeke