Mehaj: Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se përballë zhvillime të fundit në vend, Qeveria dhe institucionet e saj të sigurisë, sipas tij, janë të përkushtuara për t’iu  përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit.

Ai u shpreh se Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime.

“Përballë zhvillimeve të fundit në vend, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj të sigurisë, janë të përkushtuara për t’iu  përgjigjur sfidave të sigurisë si në veri të vendit, ashtu edhe në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Bashkë me policinë e Kosovës dhe me të gjithë komponentët e sigurisë, vendorë dhe ndërkombëtarë, shteti i Kosovës do ta ruajë kompaktësinë e veprimeve në mënyrë racionale, përmes rrugësh institucionale dhe me qasje koordinuese gjithëpërfshirëse”.

“Kosova ka dalëzotësit e saj dhe ajo është e mbrojtur nga djem dhe vajza brenda dhe jashtë institucioneve. Kosova mbetet e pacenueshme dhe e vendosur në përpjekjen e saj legjitime dhe të drejtë për shtrirjen e sovranitetit dhe për të mbrojtur si territorin ashtu edhe qytetarët e saj”, thuhet në shkrimin e tij.

Tutje, Mehaj tha se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë.

“Veprimet e autoriteteve serbe janë manifestim i politikave agresore dhe hegjemone të Serbisë autoritare dhe proruse në Ballkan. Çdo përpjekje për depërshkallëzim duhet të llogarisë edhe mungesën e vullnetit të Serbisë për këtë dhe veprimet e saj provokuese dhe nxitëse. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i dënojë veprimet e Serbisë dhe t’iu qëndrojë deri në fund palëve prapa sipas gatishmërisë së tyre përkatëse drejt gjetjes së rrugëve të depërshkallëzimit në veri të vendit”, është shprehur ai.

/KlanKosova/

Read Previous

Kidnapimi i policëve, KFOR: Jemi në kontakt me autoritetet serbe

Read Next

Hidhet shorti për sezonin e ri dhe mësohen çiftet në Premier Ligë – një derbi në javën e parë