Sot në mëngjes do të mblidhet Këshilli i Sigurisë së Kosovës, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.
Policia e Kosovës ka deklaruar se forcat serbe kryen një kidnapim klasik ndaj pjesëtarëve të Policisë, në Leposaviq, në një zonë ku kryhet kontrabandë nga ana e Serbisë.
Mbledhjet e Këshillit zhvillohen nën kryesimin e kryeministrit Albin Kurti, për çështje që lidhen me sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Detyrë e këtij Këshilli është rekomandimi i politikave dhe i strategjive për sigurinë.
Ndryshe, Policia dje e cilësoi këtë si “kidnapim klasik të organizuar” brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e di se ku ndodhen policët e kidnapuar, por ka theksuar se janë nën arrest dhe po mbahen në duart e institucioneve të Serbisë.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje, Qeveria njoftoi se institucionet kanë vendosur që të mos lejojnë hyrjen në Kosovë të automjeteve me targa të Serbisë e po ashtu është ndaluar hyrja e mallrave nga Serbia./Sinjali/