Bayerni i beson talentit kosovar, Erblin Osmani në listë për përballjen me Atleticon
Vatikani njoftoi të hënën se synon të dërgojë në hapësirë një libër dixhital në miniaturë me një mesazh shprese.
Dërguesi nuk është as më pak e as më shumë por Papa Françesku.
“Nano-libri” do të hidhet në orbitë në një lartësi prej 525 kilometrash nga një raketë SpaceX Falcon 9.
Ajo do të ngrihet më 10 qershor nga aeroporti Vandenberg në Kaliforni, njoftoi Selia e Shenjtë në një konferencë për shtyp në Romë.
Një pjesë elektronike e mikrogdhendur rreth 2 milimetra do të ngarkohet në një satelit drejtkëndor prej rreth tridhjetë centimetra (CubeSat) të pajisur me panele diellore dhe është projektuar nga studentët e Shkollës Politeknike të Torinos.
Ai do të shfaqë fjalimin që Papa Françesku mbajti më 27 mars 2020 në mes të pandemisë COVID.
Atë ditë kreu i kishës katolike u shfaq i vetëm në sheshin e Shën Pjetrit ashtu të shkretuar dhe të lagur nga shiu.
Papa asokohe i bëri thirrje botës “të frikësuar dhe të humbur” të rishikonte prioritetet e saj.
I quajtur latinisht “Spei Satelles” (satelit i shpresës), projekti, buxheti i të cilit nuk është specifikuar, do të realizohet bashkërisht nga Vatikani, Agjencia Italiane e Hapësirës dhe institute të ndryshme italiane.
“Qëllimi i bashkëpunimit të tyre është të dërgojnë fjalimin e Papës “përtej kufijve të tokës, në mënyrë që nga hapësira të arrijë sa më shumë gra dhe burra në planetin tonë në vështirësi”, shpjegoi presidenti i Agjencisë Hapësinore, italiani Giorgio Saccoccia.
Në tetor 2017, Papa argjentinas foli drejtpërdrejt përmes video-konferencës me astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) si pjesë e një nisme të nisur nga paraardhësi i tij, Benedikti XVI. /Albanianpost.com