Osmani për planin franko-gjerman: BE-ja përdor gjuhë të paqartë në zgjidhjet që ofron

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë marrëveshja e cila ofrohet për zgjidhjen e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka shumë rëndësi.

Ajo e ka përmendur propozimin franko-gjerman, duke deklaruar se janë shumë të kujdesshëm kur flasin për këtë propozim.

Osmani për portalin “Profil” të Austrisë ka thënë se propozimi flet për “vetëqeverisje të serbëve”.

Ajo tutje ka kritikuar Bashkimin Evropian se përdorë gjuhë të paqartë në zgjidhjet e ofruara, në mënyrë që sipas saj, palët t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç i shohin të arsyeshme.

“Nëse ulem me tre avokatë, do të marr të paktën dhjetë mendime të ndryshme se çfarë do të thotë kjo në praktikë. BE-së i pëlqen të përdorë një gjuhë të paqartë në mënyrë që të dyja palët të mund t’i interpretojnë marrëveshjet ashtu siç e shohin të arsyeshme. Duhet ta lëmë pas këtë strategji. Sepse ne jemi ata që duhet të jetojmë me pasojat”, ka thënë ajo.

“S’kemi nevojë për një Republika Srpska tjetër në rajonin tonë”

Osmani ka thënë se Kosova ka bërë lëshime qysh para pavarësisë së vendit.

Ka shtuar se e gjithë kjo e ka sjellë Kosovën në prag të mosfunksionimit.

Sipas Osmani rajoni nuk ka nevojë për një tjetër Republikë Srpska.

Osmani ka thënë se Kosova ka nevojë për modele multietnike, jo për ndarje etnike.

“Më pyetët se çfarë mund t’i ofrojmë Serbisë si shpërblim. Përgjigja ime është: si shpërblim për çfarë? Si shpërblim për kryerjen e krimeve të luftës? Si shpërblim për destabilizimin e fqinjëve? A është kjo ajo që BE-ja dëshiron të shpërblejë? Edhe 24 vjet pas luftës, Serbia nuk ka kërkuar kurrë falje për atë që ndodhi në vitet 1990. Asnjëherë nuk i ka pranuar krimet dhe as i ka sjellë autorët para drejtësisë”, ka thënë ajo.

/GazetaSinjali/

Read Previous

FIFA dhe UEFA të pafuqishme, Superliga Evropiane fiton rastin në gjykatë

Read Next

Bileta e trafikut urban në Gjakovë është 0.80 euro