Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera, tha se është gjithmonë i shqetësuar për situatën në Kosovë, sidomos për pjesën veriore të banuar me shumicë serbe.
Tensionet që përshkuan gjysmën e dytë të vitit 2022 sikur arritën pikën më të lartë në muajin dhjetor, por pas 20 ditësh situata u qetësua, të paktën përkohësisht, me heqjen e barrikadave.
Kreu i ekzekutivit në këtë intervistë theksoi se nuk e ka ndër mend të zmbrapset nga zbatimi i vendimit për targat ilegale serbe ndërsa shprehu optimizmin se do të arrihet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë para nisjes së zbatimin të vendimit.
“Unë jam gjithmonë i shqetësuar se ky është një përshkrim i punës së një kryeministri, por nuk kam frikë dhe nuk do të bëj kurrë kompromis me Kushtetutën dhe Sundimin e Ligjit”.
“Kemi dhënë pak kohë sepse duhet t’i japim kohë marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila është shumë e nevojshme për normalizimin e marrëdhënieve”, shtoi Kurti.
Nga përshëndetja që i bënë diplomatët evropianë dhe ata amerikanë vendimit për largimin e barrikadave, u kuptua se në prapaskenë ishin zhvilluar negociata mes palëve për depërshkallëzim, mirëpo kryeqeverita garantoi se s’ka bërë kurrfarë kompromisi.
“Unë nuk u jap premtime dhe garanci kriminelëve që kanë urdhër arresti”, potencoi ai duke aluduar tek Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç – të sanksionuar nga Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ndërkaq, ai ka komentuar edhe idenë e shkëmbimit të territoreve si një projekt për të mbyllur kontestin e gjatë mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë (Aleksandër Vuçiç) është nostalgjik i atyre kohërave. Projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar, por sërish ideja nuk u shua. Shkëmbimi i territoreve është një formulë për luftë”. /Albanianpost.com
Më poshtë intervista e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhënë për Al Jazeera.