Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, në një paraqitje televizive në Tëvë1, duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, tha se pret që në takimin e radhës në Bruksel, Miroslav Lajçak të mos jetë i përfshirë si ndërmjetës.
“Shpresoj shumë që kësaj here në këtë proces nuk do të përfshihet fare Lajçak i cili mendoj që ka qenë në vazhdimësi problematik sa i përket informacionit që është bartur mes Kosovës dhe Serbisë”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, shtoi se BE-ja do duhej t’i thotë Serbisë që marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve në bazë të propozimit franko-gjerman të përfundojë në mars, ose t’i vihen sanksione financiare.
“Unë do kisha dashur që Bashkimi Evropian të thotë në mars përfundon ose të vendosin sanksione financiare ndaj Serbisë, sepse ajo është në anën e Rusisë”, deklaroi ai.
Megjithatë, Abazi shprehet skeptik sa i përket afatit joformal që Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një marrëveshje para përvjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë që shënohet më 24 shkurt.
“Jam shumë skeptik që do të ndodhë sepse Serbia vepron dhe bën kompromise vetëm atëherë kur gjuha është e qartë e eksplicite, dhe vendosen instrumente të qarta kundër veprimeve të Serbisë”. /Albanianpost.com