Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për gazetën holandeze de Volkskrant ka folur për zhvillimet e fundit në Veri të Kosovës, derisa ka adresuar kritika ndaj Bashkimit Evropian, e cila sipas saj, “nuk po vepron”. Madje, kryediplomatja kosovare mendon se “Evropa nuk ka mësuar asgjë nga pushtimi i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin në Ukrainë”.
“Më kujtohen gabimet e bëra në vitin 1990 para luftës dhe kam frikë se ato po përsëriten tani. BE-ja shikon, por nuk vepron”, tha Gërvalla.
“Serbia është një përfaqësuese ruse, por Evropa tani po përsërit të njëjtat gabime me Vuçiç-in”.
Sipas saj, BE-ja, ashtu si Britania e Madhe dhe SHBA-ja, duhet të vendosin sanksione ndaj oligarkëve serbë dhe të ngrijnë subvencionet dhe procesin e anëtarësimit në BE për Serbinë.
“Nga gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, tre janë tani në një situatë të paqëndrueshme, të cilat kanë një nxitës: Rusinë përmes Serbisë. Ne duhet të shohim pamjen më të gjerë”, shton ajo.
Kur ka folur për barrikadat që janë vendosur nga serbët në Veri, ajo ka theksuar se ato i kanë vënë “bandat kriminale serbe”.
“Mos harroni se e gjithë kjo vjen nga Beogradi”, tregon Gërvalla.
“Presidenti serb Vuçiç gjithmonë e ka mohuar këtë, por së fundmi ka thënë se ‘barrikadat do të hiqen’ nëse Kosova plotëson një kusht të rëndësishëm serb: formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosova është me vendosmëri kundër kësaj, sepse ka frikë se do të tërheqë një lëvizje separatiste”. /Albanianpost.com