Edhe pak javë kanë mbetur deri në festat e fundvitit, ku shumë mërgimtarë pritet të vijnë për pushime në Kosovë. Ata të cilët rrugën e bëjnë me automjete për në vendlindje, në kufi do të iu duhet që ta paguajnë policën e sigurimeve kufitare.
Kjo pagesë është duke u rimbursuar nga qeveria, mirëpo procedurat të cilat duhet ndjekur për rimbursim po konsiderohen të komplikuara dhe shumica e mërgimtarëve nuk kanë aplikuar fare për rimbursim.
Procedurat e rimbursimit po konsiderohen si mashtrim ndaj mërgatës, andaj po bëhet thirrje që kjo pagesë të hiqet fare.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, tha për Ekonomia Online se mërgimtarët janë mashtruar nga Qeveri Kurti, duke shtuar se nga hulumtimet që ka bërë ajo, nga 224 mijë polica të paguara, vetëm 8 mijë mërgimtarë janë kompensuar.
“Absolutisht e them me bindje të plotë bazuar në statistika dhe informata të sakta e në argumente që mërgimtarët e Republikës së Kosovës janë mashtruar keq e rëndë nga kryeministri Albin Kurti, e them këtë sepse kam hulumtuar të hyrat ose numrin e policave që kanë paguar mërgimtarët ku janë mbi 224 mijë polica të paguara, ndërsa janë rimbursuar vetëm 8 mijë, që i bije 3.9 për qind janë rimbursuar, kështu jo shumica, por të gjithë mërgimtarët janë mashtruar nga kryeministri”, tha ajo.
Ajo u shpreh se kjo pagesë duhet të hiqet, e sidomos nga kryeministri Kurti, pasi sipas saj, ai vetë e ka dhënë këtë premtim.
“Tani nëse kurrë nuk është dashur të hiqet, nga Albin Kurti duhet të hiqet për shkak se ka bërë opozitarizëm me vite të tëra me këtë kartë duke i garantuar mërgimtarët tanë se me ardhjen e tij në pushtet ai do ta heqë policën e sigurimeve dhe çfarë bëri, krijoi burokraci e procedura edhe më të rënda, ata e paguan policën dhe u kthyen në vendet e tyre siç ka ndodhur rëndom. Ata u mashtruan nga Albin Kurti”, tha Musliu.
Edhe Blerinë Ukshinin nga organizata “Germin”, tha për EO se procedurat e rimbursimit janë burokratike dhe të komplikuara, duke shtuar se për këtë arsye aplikimi për rimbursim ka qenë më i vogël sesa hyrja e veturave.
Ukshini kërkoi që kjo pagesë të hiqet për mërgimtarët si shenjë mirënjohjeje ndaj tyre.