Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion kundër drogës në rajonin e Dukagjinit.
Aksioni është udhëhequr nga Prokuroria e Pejës, e asistuar nga Njësia antidrogë e Policisë, gjatë të cilit janë zbuluar plantacione të bimëve narkotike dhe vende ku thaheshin këto bimë dhe përgatiteshin për t’u vënë në treg.
Përveç në fshatra të Deçanit, aksioni është shtrirë edhe në Gjakovë, ku Policia kanë arrestuar një person, shtetas i Shqipërisë i cili jetonte në këtë qytet.
Brenda banesës janë hasur rrobat e përdorura në plantacionin e kanabisit si dhe gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar rreth gjysmë kilogrami substancë narkotike, që dyshohet të jetë kokainë ngjyrë pembe, një drogë kjo shumë e rrallë.
Gjykata e Pejës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 7 personave që u arrestuan në aksionin kundër narkotikëve në rajonin e Dukagjinit që u zhvillua më 28 shtator të këtij viti. /Kallxo.com/