Jasharaj: Të shtunën nuk do të ketë mësim, vendimi i Nagavcit ishte i ngutshëm

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka njoftuar se kompensimi i orëve të humbura nuk do të bëhet këtë të shtunë, siç ka kërkuar Ministria e Arsimit.

Në një konferencë për media, Jasharaj ka thënë se vendimi i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, për zëvendësimin e orëve të humbura nga greva gjatë të shtunave, ka qenë i ngutshëm.

Sipas tij, Nagavci nuk e ka respektuar kontratën kolektive ku thuhet se orët e mësimit të humbura nga greva nuk kompensohen – përveç nëse palët nënshkruese, pra Ministria e Arsimit dhe SBASHK-u, arrijnë marrëveshje të veçantë.

“Lidhur me kompensimin e orëve të humbura, ishte vendim i ngutshëm nga ana e ministres së Arsimit e cila nuk e zbatoi kontratën kolektive ku thuhet qartë se orët e humbura të mësimit nga greva nuk zëvendësohen përveç nëse palët nënshtruese, pra MASHTI dhe SBASHK-u arrijnë marrëveshje të veçantë. Prandaj, këtë të shtunë nuk do të ketë zëvendësim të orëve”, është shprehur Jasharaj.

Ai tutje ka thënë se presin nga ministrja Nagavci që t’i ftojë në takim për të diskutuar se si do të zëvendësohen orët e humbura, e nëse një gjë e tillë nuk ndodh “jemi të detyruar ta respektojmë kontratën kolektive”. /Telegrafi/

Read Previous

SHBA: Do të mbrojmë “çdo pëllëmbë” të territorit të NATO-s

Read Next

​Deputeti boshnjak pro anëtarësimit sa më të shpejt të Kosovës në Partneritetin për Paqe