Rama kryeson delegacionin shqiptar në OKB

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të kryesojë delegacionin shqiptar për sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila ka mbërritur sot në New York, SHBA, si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Rama.

Xhaçka, do të zhvillojë disa takime dypalëshe me homologët nga Japonia, India dhe Finlanda.

Ajo do të marrë pjesë në disa evente të nivelit të lartë si takimi i Komisionit të Partneritetit Karta e Adriatikut – SHBA.

Po ashtu do të ketë edhe një takim Ministror i Grupit Feminist për Politikë të Jashtme.

Kjo me temë: Simpoziumi Gratë, Paqja dhe Lidershipi: Arritja e Paqes dhe Sigurisë së Qëndrueshme përmes Lidershipit të Përgjegjshëm ndaj Gjinisë.

Sesioni i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është mundësia që krerët e shteteve dhe qeverive të mblidhen në selinë e OKB-së dhe të diskutojnë çështjet botërore.

I pranishëm do të jetë edhe përfaqësuesi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Joseph Borrell, i cili pritet të zhvillojë disa takime me liderët e Bashkimit Evropian.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së është organi kryesor politikëbërës i Kombeve të Bashkuara.

Vitin e kaluar, sesioni i 76-të u zhvillua në sfondin e një krize klimatike dhe një pandemie.

Asokohe, numri një i Qeverisë shqiptare, zhvilloi edhe disa takime zyrtare duke firmosur marrëveshje me rëndësi për Shqipërinë. /Albanianpost.com

Read Previous

Bad News Eagles shpallen kampion të turneut të CS:GO TipSport Prague në Çeki

Read Next

Gjashtë sirianë tentuan të hynin ilegalisht në Kosovë