“Gati për betejë”, Batalioni i Këmbësorisë certifikohet nga NATO

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi se grupi i vlerësimit dhe monitorimit të NATO-s, ka certifikuar me sukses, gjatë stërvitjes “Biza ‘22”, paraqitjen e Forcave të Armatosura.

“Me këtë arritje Grup Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë, konfirmohet si strukturë operacionale e gatshme për t’u përdorur nga NATO, në çdo kohë, denjësisht në krah të aleatëve tanë”, tha Peleshi në një postim në Facebook.

Ministria e Mbrojtjes tha se ekipi, ku ishin pjesë dy monitorues nga NATO, kreu vlerësimin sipas sistemit CREVAL, bazuar në dokumentin e NATO-s. Ky vlerësim u krye gjatë stërvitjes “Biza – 22” bazuar në 2 hapa: përgatitja dhe ekzekutimi.

Në vlerësimin CREVAL, Grup – Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë plotësoi kriteret e AFS vol. VII dhe kategorinë e gatishmërisë dhe është gati për t’u dislokuar në çdo mision të NATO-s në të ardhmen, duke u deklaruar “combat ready” – “gati për betejë”.

Raporti final të vlerësimit CREVAL iu dorëzua zyrtarisht me një ceremoni zëvendëskomandantit të Forcës Tokësore dhe komandantit të Grup – Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë nga monitoruesi i lartë i NATO-s.

Mbi 1000 trupa dhe mbi 200 mjete ishin pjesë e stërvitjes më të madhe të Forcave të Armatosura, të koduar “Biza – 22”, në të cilën u aplikuan manualet më të mira në përdorim nga NATO./A2news/

Read Previous

NATO certifikon batalionin e Ushtrisë Shqiptare, Rama: Strukturë operacionale e standardeve më të larta të Aleancës

Read Next

Ja deri kur parashihen reshjet e shiut