Javët e nxehta dhe thatësira në Evropë kanë sjellë nivelet më të ulëta të ujit në lumenj dhe liqene.
Kështu janë ekspozuar thesare të zhytura në kohë.
Në Spanjë, arkeologët kanë qenë të kënaqur nga shfaqja e një rrethi guri prehistorik të quajtur “Stonehenge spanjolle”.
I njohur zyrtarisht si “Dolmen i Guadalperal”, rrethi prej guri aktualisht ndodhet plotësisht i ekspozuar në një cep të rezervuarit të Valdecanas, në provincën qendrore të Caceres, ku autoritetet thonë se niveli i ujit ka rënë në 28 për qind të kapacitetit.
Rrethi i gurit u zbulua nga arkeologu gjerman Hugo Obermaier në vitin 1926, por zona u përmbyt në vitin 1963.
Që tëherë ajo është bërë plotësisht e dukshme vetëm katër herë.
Një tjetër nga lumenjtë e fuqishëm të Evropës, Danubi, ka rënë në një nga nivelet e tij më të ulëta në pothuajse një shekull si rezultat i thatësirës, duke ekspozuar pjesën e brendshme të më shumë se 20 anijeve luftarake gjermane të fundosura gjatë Luftës së Dytë Botërore pranë qytetit portual të Serbisë, Prahovo.
Anijet ishin mes qindrave që u shkatërruan përgjatë Danubit nga flota naziste e Gjermanisë në Detin e Zi në vitin 1944, ndërsa ata u tërhoqën nga forcat sovjetike.
Italia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për zonat përreth lumit Po dhe në fund të korrikut një bombë e zhytur më parë e Luftës së Dytë Botërore prej 450 kg u zbulua.
Rreth 3 mijë njerëz që jetonin pranë fshatit verior të Borgo Virgilio, afër qytetit të Mantua-s, u evakuuan ndërsa ekspertët ushtarakë çaktivizuan dhe kryen një shpërthim të kontrolluar të pajisjes së prodhuar në SHBA në fillim të këtij muaji. /Albanianpost.com