Shqipëri, policia sekuestron 84 pako kanabis në formën e çokollatës

Policia e Lezhës ka bërë me dije se 84 pako kanabis e përpunuar në formë çokollate është sekuestruar, ndërsa në pranga kanë rënë tre shtetas.

Në kuadër të operacionit ‘Processed drugs’ në dalje të qytetit të Lezhës, policia ka lokalizuar dy automjetet e dyshuara, në lëvizje, për të cilat kanë ndërhyrë dhe i kanë ndaluar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në pjesën e bagazhit, është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 84 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë, të cilat pas peshimit rezultuan rreth 11 kilogramë.

Ndërsa në automjetin tjetër, nuk është konstatuar asnjë send i kundërligjshëm, por vetëm dy shtetas që shoqëronin dhe ruanin automjetin ku ndodhej lënda narkotike.

Policia njofton se vijon puna hetimore nga ana e strukturave të Policisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. /Albanianpost.com

Read Previous

Superliga e Kosovës vazhdon sot me tri superndeshje

Read Next

Incidenti me rusët në Gramsh, ministri Peleshi: Shqipëria dhe Kosova janë të sigurta