Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e pesë institucioneve të vuajtjes së dënimit në vend, pas gjetjeve shqetësuese mbi kushtet në burgje dhe paraburgime.
Në raportin vjetor 2025, institucioni thekson se kushtet në disa IEVP në Shqipëri i afrohen trajtimit degradues, duke shkelur standardet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare për trajtimin e personave të privuar nga liria.
Sipas të dhënave të inspektimeve në 18 institucione dhe 115 ankesa të trajtuara gjatë vitit, situata paraqitet problematike në disa drejtime kryesore.
Raporti evidenton mbipopullim të theksuar në disa burgje, ku IEVP Lezhë rezulton me rreth 65% mbi kapacitet, si dhe qëndrime të gjata në paraburgim, me mesatare që arrin 253 ditë, pa një vendim përfundimtar gjykate.
Edhe pse sistemi në tërësi rezulton nën kapacitet, shpërndarja e të burgosurve konsiderohet e pabarabartë, duke krijuar ngarkesa të mëdha në institucione të caktuara.
Një tjetër shqetësim i ngritur është gjendja e kushteve materiale dhe higjienike, ku raportohen mungesë dollapësh, ambiente të amortizuara, mungesë ngrohjeje dhe ajrimi, si dhe mungesë e produkteve bazë për higjienën personale.
Raporti thekson gjithashtu probleme serioze në shërbimin shëndetësor, përfshirë mungesën e mjekëve me kohë të plotë, mungesën e specialistëve, vështirësi në transportin urgjent dhe mungesë të një institucioni të specializuar për personat me probleme të shëndetit mendor.
Në përfundim, Avokati i Popullit i kërkon qeverisë rishikimin e politikës së paraburgimit, përmirësimin e menjëhershëm të shërbimit shëndetësor në burgje dhe mbylljen e pesë institucioneve të identifikuara, deri në rikonstruktimin e plotë të tyre. /Albanianpost.com