Filmi “Dua” nga regjisorja Blerta Basholli çon mbijetesën nga lufta e Kosovës në Kanë

Një rrëfim tjetër kinematografik nga Kosova dhe prodhim i regjisores së mirënjohur, Blerta Basholli prek majat ndërkombëtare. “Dua”, filmi që regjisorja e quajti gjysmë – autobiografik, ka pasur premierën botërore në Festivalin e Filmit në Kanë.

Filmi nga Kosova u prezantua  në programin prestigjioz “Semaine de la Critique”, teksa garon për katër çmime kryesore.

“Një natë e paharrueshme për gjithë ekipin e filmit dhe një pritje e jashtëzakonshme nga publiku që na emocionoi pafund”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Me skenar gjithashtu të Blerta Bashollit, filmi është prodhuar nga Valon Bajgora, Yll Uka dhe Agon Uka (Ikonë Studio), dhe bashkëprodhuar nga Britta Rindelaub & Thomas Reichlin (Alva Film), si dhe Amaury Ovise (Kazak Productions).

Në rolin e Duas luan Pinea Matoshi, përkrah aktorëve të tjerë Yllka Gashi, Kushtrim Hoxha, Kaona Matoshi, Andi Bajgora, Vlera Bilalli dhe Fiona Abdullahu.

Ngjarja zhvillohet në fundin e viteve të ’90-ta në Prishtinë, ku protagonistja kryesore e cila është 13-vjeçare, Dua rritet në kohën kur Kosova është nën tensione. Teksa përballet me dhunën e përditshme dhe mundësinë për t’u larguar nga vendi, Dua duhet të mësojë si ta mbrojë veten fizikisht dhe emocionalisht nga sfidat e pandërprera që i dalin përpara.

Kjo është hera e 15-të me radhë që Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë prezantojnë kinematografinë shqiptare përmes pavijonit të përbashkët të Kosovës dhe Shqipërisë. /RTKlive

Read Previous

Publikohen çmimet e reja të derivateve për sot

Read Next

“The Brussels Times”: Marrëveshja prej 20 milionë eurosh, hap vendimtar drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE