Ka përfunduar dëshmia e Paul Williams, i cili ka qenë këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999. Juristi amerikan e ka nisur dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi ditën e djeshme, i cili ka folur për procesin e marrëveshjes në Rambuje. Ai deklaroi se Hashim Thaçi ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonës dhe se “u bë e qartë si drita e diellit që komandantët e zonës duhej të bëheshin pjesë e procesit”.
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, Paul Williams gjatë ditës së sotme është përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues e më pas në pyetjet shtesë të avokatëve mbrojtës.
Dëshmitari i dytë i mbrojtjes tha se nuk e njihte komandantin legjendar Adem Jashari.
Misetiç: A keni ju ndonjë njohuri për kush ishte Adem Jashari?
Williams: Jo tani që më pyesni në këtë çast?”, u përgjigj ai.
Juristi amerikan tha se masakra në fshatin Reçak ka qenë cenim i rëndë i të drejtës ndërkombëtare humane, derisa u pyet nga avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.
Ellis: Gjatë kohës që keni parë çfarë ndodhte në Kosovë, ju besoj që keni dëgjuar masakrën e Reçakut në mes të janarit 99?
Williams: Po.
Ellis: A është e vërtetë që ka qenë një cenim shumë i rëndë i të drejtës ndërkombëtare humane sepse u vranë shumë civilë?
Williams: Po”, u përgjigj ai.
Gjatë pyetjeve të gjyqtarit Genel Metro, dëshmitari i mbrojtjes tha se gjithmonë ka menduar se ka ndodhur takimi mes Hashim Thaçit e Adem Demaçit në Slloveni, megjithatë shtoi se “fakte për ta mbështetur këtë nuk kam”.
“Ua them me siguri që ai [Hashim Thaçi] ka shkuar në terren për të mbledhur nënshkrimet e komandantëve të zonës. Megjithatë, paralelisht me këtë kishte një kosto të caktuar… U bë u qartë si drita e diellit që komandantët e zonës duhej që të bëheshin pjesë e procesit. Brenda për brenda kështjellës ishte e pamundur që të përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës. Çfarë mu tha ishte ‘Paul të besojmë, tani merre këtë copë letër shko jepe këtë mesazh, shko dhe bëju avokati ose këshilltari i UÇK-së’”, shtoi ai.
Në ditën e dytë të dëshmisë, amerikani Williams tha se kryeministri i qeverisë së përkohshme në ekzil, Bujar Bukoshi kishte hezituar të ofronte ndihmë financiare për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Po, Bujar Bukoshi ishte hezitues, hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në”.
Metro: Mund të na thoni pse?
Williams: Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara, ishin mbledhur që të financonin sistemin arsimor paralel që funksiononte në Kosovë dhe të financonin kujdesin shëndetësor paralel. Pra, do të jap një përgjigje pak më të gjerë. Ne kishim folur shkurtimisht për këtë, kur vjen çështja e parave dhe armëve unë nuk mund të flas, unë mund të flas për të drejtat e njeriut. Megjithatë, ai më ka thënë që ka dy probleme: i kemi mbledhur këto para nga diaspora për shëndetësinë dhe për arsimin dhe këtu duam t’i shpenzojmë dhe besoj se i përdornin edhe për disa nga refugjatë, dhe së dyti, por mos ma merrni përfundimtare këtë, së dyti, nëse donin para për armë ka forma të tjera për ta bërë këtë dhe përfundimisht në fakt e gjetën një zgjidhje”, deklaroi Williams.
Më pas, atij i janë shfaqur disa deklarata publike për keqpërdorime të fondeve, ku ishte thënë se “shtabi i përgjithshëm i UÇK-së nuk ka njohuri për mjetet e mbledhura në emër të luftës”, dhe se “shtabi i përgjithshëm i UÇK-së fton bashkatdhetarët që të mos bien në grackat e konstruktuara nga ‘institucionalistët’”.
Paul Williams, dëshmia e të cilit është në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se “në dijeninë time nuk mund të them a ka të vërteta në këto akuza, në këto pretendime”.
“Jo nuk jam në dijeni që qeveria e Bukoshit të ketë shpërdorur fondet e diasporës, të ketë përdorur për përfitime personale”, u shpreh ai.
Pyetjet e trupit gjykues kanë vijuar me deklaratat e Jakup Krasniqit lidhur me këto mjete të mbledhura nga diaspora, ku ishte pretenduar për keqpërdorime.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiç tha se nuk ka dëshmitarë tjetër për sot dhe se javën e ardhshme nis të hënën.
Paul Williams, është dëshmitari i dytë i mbrojtjes së Thaçit, e cila ka paraparë që në gjykatore t’i sjell rreth 11 dëshmitari.
Dje ka përfunduar dëshmia e James Rubin, e nisur më 15 shtator, i cili ka qenë gjatë luftës në Kosovë ka qenë ndihmëssekretar amerikan i Shtetit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin me krime të pretenduara të luftës. ZPS-ja ka thënë se ata ishin pjesë e “një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
Në anën tjetër, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria i pati sjell 125 dëshmitarë në sallë dhe është mbështetur në mbi 130 dëshmi ne shkrim.
Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.
Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte bërë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023.
Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti. /KosovaPress/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.