27 vjet nga masakra e Reçakut, ngjarja që ndryshoi kahjen e Kosovës

Kosova përkujton sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

Ndryshe me aktivitete të ndryshme përkujtimore, Kosova shënon 27-vjetorin e Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më të rënda të historisë së fundit të Kosovës. Në kuadër të “Ditëve të Reçakut”, institucionet vendore dhe qendrore, së bashku me shoqatat e dala nga lufta, organizojnë një sërë aktivitetesh në nderim dhe kujtim të viktimave, me qëllim ruajtjen e së vërtetës historike dhe përcjelljen e saj te brezat e rinj.

Sot, në të gjitha shkollat e Republikës së Kosovës do të mbahet ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut. Po ashtu, në ora 09:00 do të zhvillohen homazhe nga niveli komunal në Varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Mollopolc dhe Reçak, në ora 10:30 homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak, në ora 12:00 do të mbahet Akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në ora 13:00 do të hapet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker 2026”, edicioni II, ideatore dhe krijuese Emine Jetishi, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, ndërsa në ora 15:00 do të zhvillohet finalja në futboll të vogël e Turneut Memorial “Ditët e Reçakut”, në fushën sportive “Arbëri” në Reçak.

Dje, në të gjitha shkollat e Komunës së Shtimes është mbajtur ora e parë mësimore kushtuar 15 Janarit – Masakrës së Reçakut, po ashtu, në Bibliotekën e Qytetit, u organizua tryezë shkencore në përkujtim të të rënëve të Masakrës së Reçakut, nga Forumi i Intelektualëve të Shtimes, me temën “Mohimet serbe të krimeve dhe gjenocidit – destabilizim për Ballkanin”.

Këto aktivitete mbahen nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetarit të Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, si dhe Shoqatave të Dala nga Lufta. /KosovaPress/RTKLive

Read Previous

Ndryshimet klimatike, presion mbi bujqësinë dhe blegtorinë

Read Next

Fillon zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin dhe i Ligjit për të huajt në Kosovë